Hetimet kanë zbuluar detaje të reja nga vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se përveç pistës së bullizimit në rrjetin social tik-tok, po hetohen edhe pista të tjera bazuar në indicie dhe dëshmi të deritanishme të marra nga policia e Durrësit.
Policia ka marrë edhe dëshminë e vajzës të së ndjerës. News24 ka mësuar se grupi hetimor ka marrë dëshmitë e vëllezërve të së ndjerës të cilët kanë dhënë pista të tjera që nuk lidhen vetëm me denoncimin për bullizimin në rrjetet sociale të cilat e ndjera i kishte denoncuar 13 muaj më parë, por edhe me marrëdhëniet familjare.
Grupi hetimor ka kontrolluar edhe telefonin e të ndjerës, por nga kontrollet paraprake deri tani nuk ka rezultuar ndonjë prove implikuese që të përfshijë personat me të cilët ka komunikuar sidomos para aktit ekstrem.
Telefoni pritet t’i nënshtrohet një ekspertize më të thelluar dhe nga Policia po merren dëshmi të tjera të personave që mund të kenë dijeni direkte dhe indirekte lidhur me ngjarjen.