Tre të mitur janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin para 2 ditësh i vodhën një shumë parash me dhunë një 70-vjeçari. Krimi u krye në lagjen “Pavarësia”.U arrestuan P. K., 16 vjeç, K. K., 16 vjeç dhe A. A., 15 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit të marrë se tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash, një shtetasi, në lagjen “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre. Si rezultat i veprimeve profesionale u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i tre autorëve të dyshuar, shtetasve:
P. K., 16 vjeç, K. K., 16 vjeç dhe A. A., 15 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.01.2024, në lagjen “Pavarësia 2”, i kanë marrë me dhunë një shumë parash, një 70-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.