Sot ndodhi një ngjarje e rëndë në Gjykatën e Tiranës. Një qytetar, Ilia Drini 68-vjeç ndërroi jetë si pasojë e një ataku në zemër. Ai akuzohej nga organi akuzës për shkaktim të vetëvrasjes ndaj ish-bashkëjetueses. Procesi kishte disa vite. Avokati i tij, Ndue Pjetra në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” tregoi kalvarin gjyqësor dhe fjalët e tij të fundit.
“Sot në ndodhi një fatkeqësi, por në Shqipëri po nuk ndodhi një fatkeqësi nuk merren masa nga shteti. Janë shumë raste si ky që presin me padurim datën e gjyqit, si rezultat i vettingut. Rasti konkret ka qenë që ky e dinte që datën e gjyqit e kishte në datën 1 shkurt.
Si duket erdhi për t’u siguruar. Më mori dje në telefon dhe më tha “dua të takohem”. I them më thuaj nëse e ke urgjente, se vij unë. Jo më tha. Ta them nesër, për sot. Kishte një trysni. Prokuroria duhet të fillojë hetimet lidhur me lëvizjet e tij ditët e fundit.
Akuzohej nga bashkëjetuesja për përndjekje, më vonë prokuroria kaloi në shkaktim vetëvrasje. Kjo çështje ka nisur në korrik 2020 dhe deri në sot nuk kishim asnjë dijeni, nuk ishte thirrur për t’u pyetur. Gjyqi paraprak duhet të përfundonte për 30 ditë, ndërkohë kanë kaluar kaq vite” tha ai.
Por a kishte presion? Avokati thotë se familja e ish-bashkëjetueses e kërcënoi. “Ai ndër fjalët që unë arrita të kuptoja që thoshtë, familjarët e bashkëjetueses kërkonin me çdo kusht ta martonin, i thoshin vendos kurorë të paktën një ditë. Por ai më thoshte, po të vendos kurorë dua tre vite për t’u ndarë. Kishte kërcënim nga familjarët e bashkëjetueses”.
Në fund, avokati kishte edhe një mesazh të fortë. “Deri tani kanë ndërruar jetë 13 qytetarë dhe unë kërkoj që një ditë t’u çoj vendimet te varri, që kanë dalë fitues” tha ai.