Pas sulmeve të ushtrisë amerikane dhe asaj britenike ndaj rebelëve Houthi ose siç quhen ndryshe “Piratët” e Detit të Kuq, ka reaguar dhe zëdhënësi i Huthi, i cili tha se do të hakmerren dhe do të vazhdojnë t’i shënjestrojnë anijet e lidhura me Izraelin në Detin e Kuq”. Edhe Irani ka dënuar sulmet e SHBA dhe Britanisë.
“Ne pohojmë se nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këtë agresion kundër Jemenit, pasi nuk ka pasur asnjë kërcënim për transportin ndërkombëtar në Detin e Kuq dhe Detin Arabik, dhe sulmet kanë goditur dhe do të vazhdojnë të godasin anijet izraelite ose ato që drejtohen në portet e Palestinës së pushtuar”, shkruan Mohammed Abdulsalam në “X”.
Sulmet u kryen me raketa Tomahawk të lëshuara nga anijet dhe avionë luftarakë, thanë zyrtarë amerikanë për agjencinë Associated Press. Objektivat ushtarake përfshinin qendra logjistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo armësh, thanë zyrtarët.
Sulmet ishin përgjigjja e parë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj fushatës së vazhdueshme të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Sulmi i koordinuar ushtarak vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.