Ditën e sotme u shënuan 13 vite nga 21 Janari ku u vranë 4 protestues dhe u plagosën shumë të tjerë, mes tyre gazetari Fatos Mahmutaj që më pas u largua duke kërkuar azil në Belgjikë. Në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” ai thotë se për këtë dosje nuk ka për të pasur drejtësi as për 100 vite.
“Ka mbetur sikur ishte me disa dënime qesharake dhe rrahje të shpatullave ndaj atyre që qëlluan. Gjithçka është e papërfunduar për atë dosje. Ato pseudo-prosece që janë bërë, qeevritarët zhdukën provat filmike, u manipuluan edhe armët, ranë akuzat rrugës dhe në fund, u “mbars mali dhe polli një mi” tha ai.
Mahmutaj rrëfeu edhe dy episode që ndodhën pas 21 Janarit të vitit 2011, atentatin ndaj vëllait të tij dhe rrahjen e një gazetari që po tentonte që të largohej në azil. “Ka qenë një koleg gazetar i imi i cili ka pësuar në 21 Janar dhunë nga policia.
Më kontaktoi dhe më pyeti për procedurat e azilit. Këta (pushteti) kishin përgjuar bisedat dhe për të më çuar mesazh inskenuan një skenë të tillë ndaj vëllait tim. Momentin që po dilte nga shtëpia dikush e qëlloi 6 herë me pistoletë.
Edhe sot janë gjurmët e plumbave në murin e pallatit. Falë përgatitjeve ushtarake vëllai shpëtoi, u dëtyrua të largohet nga Tirana të jetonte mbi një vit në Mallakastër derisa ndryshoi pushteti” tha gazetari për “5Pyetjet.al”.