-sidi education-spot_img
28.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Një herë i përgjakshëm, një herë i turpshëm

Kryesoret

13 vite më parë, jo rastësisht, shteti qëlloi mbi protestuesit. Me urdhër të drejtpërdrejtë të shefit të qeverisë , apo jo, kjo tashmë nuk është e rëndësishme. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i cili, pa asnjë ekuivok , fajëson shtetin për vrasjen e katër protestuesve, bëri të njohur atë që është e ditur. E sanksionoi një fakt që dihej, që nuk mund të fshihej më, por, në të njëjtën kohë bëri me turp dy qeveritë: atë që urdhëroi vrasjen dhe këtë, që nuk arriti dot, në dhjetë vite pushtet, të zbardhë të vërtetën. Secila prej tyre është e dhimbshme. Secila kërkon përgjegjësitë e vet, që, për rastësi dhe ironi të politikës, ishin dhe janë ende në të njëjtën zyrë, me dritare nga sheshi, ku, pikërisht në një ditë të 21 janarit, ndoshën vrasjet brutale dhe plagosjet e shumta. Ajo që ndodhi në natën e 21 janarit, me arrestimet, burgosjet, rrahjet, shpifjet, manipulimet, që nga ish drejtori i përgjithshëm i policisë dhe deri në studiot e TV Klanit, janë nga ndodhitë më të përbindshme të politikës pluraliste.

Në të vërtetë ne kemi dy 21 janar: atë që ndodhi 13 vite më parë, dhe ky është 21 janari i përgjakshëm; dhe këtë që është sot: dhe ky është i turpshëm.

I përgjakshmi tashmë dihet në të gjithë hollesitë e tij; që nga përgatitja e demonstratës, marshimi i më shumë se 100 mijë njerëzve nga të gjitha drejtimet drejt sheshit kryeministror, turmat e nxitura nga vjedhja me zë dhe figurë të njeriut të dytë në qeveri; provokimi i paturpshëm i policisë qeveritare, pastaj realizimi i një skenari makabër duke nisur që nga  fillesa e goditjes, kundërgoditje e demonstruesve, tërheqja për të  menduar për një ditë tjetër demonstrative, vrasja e katërfishtë, bërë qetësisht, me mendimin e qartë për të dhënë një mësim force përmes dhunës, fshehja e provave, deklarimet brutale të qeveritarëve, sajesat me çadra pistoletë, për makinat me armë që prisnin tek “Taivani”, brutaliteti i shefit të qeverisë që, si në mal, thërriste për grusht shteti e për të goditur edhe 300 të tjerë, këto ishin çastet e halucinacionit të plotë politik dhe delirit të çmendurisë qeveritare; e si një vijë e zgjatur, deri tek përsëritja pak ditë më parë e së njëjtës makutëri, kësaj here nga ish ministri i Mbrojtjes, Imami, që ende mendon se beson njeri tek një përpjekje për grusht shteti.

21 janari i përgjakshëm ishte i përgatitur deri në detaje. Filmimet e bëra në koridoret kryeministrore, në të cilat dukej një njeri që ulërinte pse nuk po qëllohej janë ende diku; nuk besoj se të gjitha provat janë zhdukur. Një ditë koha e së vërtetës do të vijë dhe njerëzit do të flasin, por do të jetë një vonesë po aq e dënueshme sa edhe vrasja. Enigmat që janë zbardhur nuk janë asgjë në krahasim me ato që janë fshehur. Njeriu që ngriti të gjithë skenën e goditjes është ende në Tiranë, i atashuar pranë parlamentit, qoftë si ekspert njëri e tjetri si deputet; ai që i miratoi këtë makabër është ende në lojën e politikës; njëri si ish shef partiak e tjetri si vazhduesi i tij; mjekët që morën urdhërin për të deformuar të vërtetën, në mënyrën më çnjerëzore janë ende aty, në spitale dhe si janë detyruar të bëhen pjesë e krimit, ku ta dish, ndoshta një ditë do të jetë pjesë e zbulimit të së vërtetës.Për fat të keq, çfarë nuk ndodh askund në botë, të dy mjekët janë ende të tillë dhe nuk e di se si mund të ju besohet jeta e të tjerëve, ata që u bënë avoketër të vdekjes, më keq, të vrasjeve. Në Shqipëri është edhe ish shefi i gardës së republikës, që të nesërmen doli me një sy të nxirë, por asnjë pamje filmike nuk e tregonte se ku dhe nga kush ishte nxirë ai sy, përmes së cilit  mori në shenjë jetën e dy njerëzve të pafajshëm.

Të gjitha këto dihen. Ajo që mund të thuhet në të ardhmen do të jetë në faktin se kush i udhëzoi Berishën e Bashën që të vrasin në janarin e 13 viteve më parë. Nga kush e morën udhërin për të vrarë apo ishte vetëm e thjeshtë një notë dëshpërimi nga droja e pushtetit. Dëshira e herëshme e një pushteti të çmendur ka qenë vrasja. Nuk e ka provuar këtë për herë të parë: edhe në vitin 1997, si do të çiltërohej më pas truproja e tij kryesore, ishte i gatshëm të merrte një kallashnikov dhe të dilte në shkallët e presidencës për të vrarë rebelët e jugut. Edhe kur e nisi Azemin drejt një makine të panjohur e mendoi vrasjen dhe e thirri atë. Në ditën e 21 janarit, sado mendje diabolike të kishte një shef qeverie, ai nuk mund të shkonte vetëm për hatër të pushtetit drejt vrasjeve.  Figura diabolike e Bashës është ende e pranishme pranë ish shefit të qeverisë. Mëritë e tanishme nuk kanë të bëjnë me të vërtetën që fshihet, por me mashtrimin që shfaqet si i  vërtetë. Nëse një ish ministër socialist i punëve të brendshme dha dorëheqjen pasi një polic vrau një qytetar të pafajshëm, me Bashën nuk ndodhi kështu: ai u bë, përmes vjedhjeve, kryebashkiaku i kryeqytetit, për të fshehur vrasjet dhe si garanci se nuk do të flasë. Edhe një herë kur synoi të hapë gojën, ia mbyllën shumë shpejt. Nuk dihet ende se cilat pjesë të videove janë ruajtur dhe përmes tyre cili është më i shantazhuar.

Berisha e Basha vranë kur njerëzit po iknin ose kur po sodisnin me duar në xhepa. Dikush aty, pranë hyrjes, një tjetër disa dhjetra metra më tej, një i tretë në podumin e gazetarëve, i katërti, Aleksi, ndërsa ishte drejt familjes së tij. Pra, kur gjithçka po shuhej. Aty nis edhe alarmi i Berishës dhe mbushja e Bashës: ata po ikin. Po iknin duke i kthyer shpinën një njeriu që kishte qëndruar pas xhameve të blinduar dhe nuk  i kishin hedhur një gur në drejtimin e tij. Nuk e donin atë, donin shtetin, të cilin ai po e vriste. Si e vrau.

Asaj nate, ndërsa gjithçka po zbardhej marramendshëm shpejt, megjithëse njeriu vrasës përpiqej fillimisht të fshihte të vërtetën e më pas të kërcënonte me vrasje të tjera, pyetja e parë që i kam bërë vetes, e si unë edhe shumë të tjerë: përse ai qëlloi në momentin kur gjithçka po largohej, përse nuk qëlloi kur turma ishte e egërsuar ndaj policisë së tij, në pikun e momentit të shpërthimit të zemërimit?

Dy ishin shkaqet: në momentin e ashpërsimit ai ndjente frikën dhe kjo frikë shpëtoi nga vdekja dhjetra njerëz që mund të ishin pasojë e çmendurisë së tij. Më pas, kur turma po largohej , ai priti gjithë ankth se dikush do të futej në oborrin kryeministror, si futeshin dikur në arat e njëri tjetrit dhe aty do të vriste , gjithnjë me justifikimin se, ja ku i vrava, i zura në sinorin tim. Dhe, kur as njëra e as tjetra nuk po ndodhnin, ai tha urdhërin për të vrarë. I doli nga koka e tij, ashtu befas, ia deshi qejfi, apo i thanë të vrasë?  Tabulatet e shefit të asaj kohe të qeverisë, në ditënatën e 21 janarit askurrë nuk janë zbardhur. Askush nuk e di se me cilët ka folur ai, dhe, nuk do të ishte e pazakontë nëse në ato tabulate do të gjendeshin edhe thirrje nga larg. Ka qenë në natyrën e punëve të tij: edhe në shtator të vitit 1998, kur ai po shpërthente kryeministrinë, një telefonatë nga larg, përmes së cilit vinte zëri  i një shqiptaro malazezi, e detyroi të kthehej. Kush i telefonoi Berishës dhe i tha: vrit. Mendja e tij apo një telefonatë nga larg?

Ky ishte 21 janari i përgjakshëm: një ditë e zezë në pluralizmin shqiptar, që nuk ka lidhje rastësore me 2 prillin e vitit 1991, dhe që, asnjëra e as tjetra, nuk po ndriçohen, duke i lënë në një terr të vazhdueshëm. Për 21 janarin , si edhe per 2 prillin, u ngritën komisione parlamentare, të cilat , edhe pse për vrasje, kanë qëndrime të ndryshme: karakteri njerëzor ende nuk ishte flakur në grumbullin e plehrimit politik, për më tepër, në qeverisje nuk ishte një monstër. Komisioni parlamentar i ngjarjeve të 21 janarit është pa dyshim turpi më i ndjeshëm i një parlamenti të 33 viteve të fundit, por , kur mendon se cilët ishin në atë turbullirë, nuk çuditesh për asgjë. Të gjithë antarët e këtij komisioni u shpërblyen, asnjë alibi nuk qëndron, gjithçka ishte në synimin e fshehjes së të vërtetës.

21 janari ka edhe anën e tij tjetër, të cilën e theksuam që në krye të herës: të turpshmen.

Tani dihet që provat u fshinë që asaj nate, por ata ishin provat qeveritare dhe veç tyre ka patur e ka edhe sot mjaft prova të tjera: disa nga tët duket sikur ulërasin për të qenë të efektshme. Por nuk janë. Turpërimi i 21 Janarit nuk lidhet me ish qeveritarët. Ata nuk bënë turp, ata bënë krim. Bënë krim ata që vranë, bënë krim ata që e fshehën: që nga ministrat e deri tek mediat pro qeveritare, të cilat u bësh njësh me krimin.

Turpërimi lidhet me qeverisjen e sotme. Lidhet me atë çfarë bënë drejtuesit e kësaj qeverie për të ndriçuar një të vërtetë të frikshme dhe për të cilën ishin betuar dhjetra herë se do ia arrinin.

Përbetimet e Edi Ramës tani janë bërë bajate. Askush nuk beson më dhe as nuk shpreson më. Shefi i opozitës së atëhershme dhe tani shefi i qeverisë nuk ka më pse përbetohet dhe hedh karafilë të  kuq në vendin e vrasjeve. Më e pakta që mund të bënte asaj dite ishte të mbronte njerëzit që i kishte thirrur në protestë, e, kur nuk mund të bëjë këtë – duhet të kishte zbardhë krimin që kishte ndodhur.  Një qeveri e tërë, në të cilën kanë qenë disa ministra të brendshëm, ka heshtur.

Në të vërtetë, dhe kjo është një e vërtetë e hidhur, ata nuk kanë bërë asgjë. Sa më shumë që vitet kalojnë, aq më tepër mjegulla fillon e dendësohet, deri sa vjen një ditë dhe harresa mbulon çdo gjë.

Qeveria e sotme, për fat të keq, asnjëherë nuk e mori seriozisht hetimin dhe gjetjen e së vërtetës. E gjitha që është bërë deri më tani lidhet me anën e jashtme të asaj që fshihet më pas: vizitat tek familjet e të vrarëve, lulet e ceremonitë, zbusin një dhimbje, por nuk e vrasin dhimbjen. Është njerëzore të shkosh dhe të qëndrosh me vajzat e Aleks Nikës, me të gjithë ata që mbetën pa prindër e pa djemtë e tyre, të kujdesesh për të mbuluar një plagë, e cila nuk shërohet.  Është e dobishme të kujdesesh për jetën e atyre që mbetën pas, por këtë mund ta kishte bërë edhe shoqëria civile, edhe njerëz të veçantë, edhe të afërm apo edhe të panjohur. Mund ta kishin bërë në vazhdimësi e jo në një ditë përkujtimi, si ndodh rëndom.

Që para ditës së 23 qershorit premtimi për të ndriçuar të vërtetën e 21 janarit ishte më solemni i qeverisë së re. U përsërit edhe më pas, ndoshta me tone edhe më pompoze, u bënë takime dhe u shkulën vendit disa pllka bulevardi, por më tej ka vetëm heshtje.

Të vrarët e 21 janarit nuk ngrihen më, edhe nëse fajtorët do të dënohen, ashtu si në të vërtetë e meritojnë të dënohen. Por shpirti i tyre mund të jetë më i qetë nëse përmes kumtit të ndëshkimit do të kishte ardhur mesazhi i mospërsëritjes së krimit. Sepse një krim që nuk dënohet, ai përsëritet.

A do të jetë dosja e 21 janarit një çështje e mbyllur?Si duket, gjithçka po shkon drejt mbylljes. Do të mbetin ende në skenën e politikës , pa asnjë droje, edhe ai që vrau, edhe ai që u kërcënua se do të vritej; edhe bashkëfajtori i vrasjes  edhe ata që një ditë mund ta pësojnë si katër të vrarët.

Përse hesht qeveria e sotme për një krim të djeshëm?Unë nuk e di shkakun, vetëm e di se në këtë 21 janar, kur ata do të vendosin edhe një herë lule në nderimin e të vrarëve, lulet do të thahen ende pa kaluar kjo ditë e zezë, që nuk do të zbardhet kurrë.

Ne kemi sot përballë njëri tjetrit dy shembuj që për fat të keq binjakozojnë : një qeveri që vret dhe një qeveri që hesht.

Mes të dyjave, zgjedh atë që hesht, kur nuk kam mundësi të zgjedh një tjetër.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit