Gjykata e Kombeve të Bashkuara do ta bëjë publik të premten vendimin për rastin kundër Izraelit, lidhur me dyshimet për kryerje të gjenocidit në Gaza.
Vendimi pritet të marrë vëmendje të madhe në Lindje të Mesme dhe pjesën tjetër të botës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të urdhërojë Izraelin që t’i japë fund fushatës ushtarake në Gazë, të nxitur prej sulmeve të pashembullta të Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Gjykata mund të detyrojë Izraelin edhe që të lehtësojë hyrjen e ndihmave në Gazë. Megjithatë, gjykata nuk do të japë vlerësim nëse Izraeli është duke kryer gjenocid në Gazë.
Në këtë fazë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të prezantojë urdhra emergjentë, para se të analizojë akuza më të gjera për akte gjenocidale në Gazë – proces që pritet të marrë vite.
Ky rast është dërguar në gjykatë prej Afrikës së Jugut, vend që beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.
“Afrika e Jugut nuk ka nevojë të vërtetojë se Izraeli është duke kryer krime”, ka thënë Juliette McIntyre, eksperte ndërkombëtare për çështjet ligjore në Universitetin e Australisë së Jugut.
“Ajo vetëm duhet të vërtetojë që ka rrezik të madh për kryerje të gjenocidit”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.
Pas dy ditëve seancë këtë muaj në Pallatin e Paqes në Hagë, një botë larg prej dhunës në Izrael dhe Gazë, avokatët kanë argumentuar mbi teknikalitetet e Konventës për Gjenocid.
Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.
Disa janë liruar ndërkohë.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri./REL