Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka njoftuar këtë të hënë vendimin për të shkarkuar prokuroren Mariola Mërtiri pasi u vunë në dukje problemet në 3 kriteret të cilat sipas trupës gjykuese çuan në heqjen e saj nga detyra.
Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me anëtar Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi arsyetoi ndër të tjera se Mërtiri kishte mungesë burimesh të ligjshme në kriterin e pasurisë.
Gjithashtu ajo ishte në shkelje të legjislacionit për sa i përket përfitimit të një apartamenti me kredi të butë.
Raportohet se shkelje ishte edhe shitja e këtij apartamenti dhe fakti që nuk ishin deklaruar aksionet e bashkëshortit në një kompani. Sipas Kolegjit Mërtiri kishte probleme edhe sa i përket kriterit të figurës.
KPA gjeti probleme edhe në çështjet e hetuara nga prokurorja dhe vlerësoi në tërësi se ajo “cënonte besimin e publikut te drejtësia”.
Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022.