Policia e Tiranës ka arrestuar autorët e vendosjes së tritolit në një zyrë noterie në zonën e ish-Bllokut më 30 Janar. Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj njoftoi se në pranga kanë rënë 3 persona, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
“Më datë 04.02.2024, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u finalizua operacioni policor i koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit u dokumentua me prova ligjore ngjarja e ndodhur më datë 30.01.2024, në një zyrë noteriale në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku ka shpërthyer lëndë plasëse.
Në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit: Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër; Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës; Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë. Gjithashtu u shpallën ne kërkim 2 shtetas.
Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 30.01.2024, kanë vendosur sasi lënde plasëse në një zyrë noteriale dhe pas ngjarjes, autorët kanë lëvizur me motomjetin e shtetasit Eno Flamuraj. Më pas, motomjetin e kanë braktisur në liqenin e Farkës dhe pas kësaj janë larguar me automjetin tip “Audi”, të shtetasit Korrado Katana”, tha Vocaj.
Të njëjtët persona rezultojnë po ashtu autorë të vendosjes së një sasie lënde plasëse në një lokal te Komuna e Parisit.