Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur me kërkesë të Serbisë, ku pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit në Kosovë sonte në mbrëmje sipas kohës lokale në Kosovë.
Zyra e kryeministrit njoftoi të enjten se Kurti ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me ministren e vet të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ndërkohë, Presidenca serbe njoftoi të enjten se në seancë do të flasë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Serbia e bëri kërkesën për këtë seancë pas vendimeve të autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe javët e fundit.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkroi si të jashtëligjshëm vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.