Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë kërkesë në Gjykatën e Posaçme për sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme si edhe të disa shoqërive tregtare të Ilir Rrapajt, biznesmenit që ndodhet në burg për koncesionin e sterilizimit.
Njoftimi i SPAK:
Siç kemi njoftuar më parë opinionin publik, në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale edhe shtetasi Ilir Rrapaj, si i dyshuar për veprën penale të “Mashtrim”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, si edhe të disa shoqërive tregtare.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 46, datë 22.01.2024, ka pranuar kërkesën duke caktuar masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive si më poshtë:
Pjesës takuese prej 40 % të Shoqërisë “Sani Service” Shpk, me numër Nipti L51910021C;
Shoqërisë “Investital Llc”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë;
Shoqërisë “Globalsher” Shpk, me numër Nipti L62120029D, dhe asetet e saj, me ortak të vetëm personin nën hetim Ilir Rapaj;
Në zbatim të vendimit të mësipërm, më datë 02.02.2024, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi i 40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Shpk, konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të hetuarin Ilir Rrapaj.
Në datë 06.02.2024, në zyrën qëndrore të Shoqërisë “Saniservice” shpk, në prani të Administratorit, u ekzekutua vendimi nr. 46, datë 22.01.2024, për sekuestron e 40% të kuotave që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, në pronësi dhe me përfaqësues shtetasin Ilir Rrapaj.