Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen sot akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që kishte kërkuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë, akuzoi Kryeministrin Kurti se po pamundëson jetën e serbëve që jetojnë atje.
Institucionet e Kosovës “kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani ata po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin ata. Një situatë e tillë, në mungesë të një reagimi të duhur, mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë,” deklaroi zoti Vuçiç, duke shtuar se ata varen nga mbështetja financiare e buxhetit të Serbisë për pensionet dhe shërbimet e tjera bazë, përfshirë ato të kujdesit mjekësor dhe social, si dhe të arsimit.
Sipas tij, vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit është “goditje e drejtpërdrejt ndaj mbijetesës së serbëve dhe të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Është pikërisht krijimi i kushteve të padurueshme të jetesës dhe mohimi i mundësisë për të mbijetuar që ka për qëllim regjimi në Prishtinë, i cili përmes akteve të këtilla te dhunës strukturore po intensifikon sulmet sistematike kundër popullatës serbe, të cilat janë mirë të planifikuara me vite dhe përmes të cilave përndjekja e hapur e serbëve në Kosovë ka filluar.”
Ndiqni artikullin e plotë: VOA