Avioni, më të cilin do të udhëtojë drejt Tiranës Antony Blinken, parashikohet të prekë tokën shqiptare pas mesditës të së enjtes, 15 shkurt.
Do të jetë Igli Hasani, ministër i Punëve të Jashtme, ai i cili do t’i urojë i pari mirëseardhjen në aeroportin Nënë Tereza, numrit 1 të diplomacisë amerikane.
Parashikohet si ndalesë e parë e sekretarit Blinken, ambasada amerikanë në Tiranë, për t’i falënderuar për punën e tyre. Më pas, takimi me kryeministrin Edi Rama, i vetmi politikan deri më tani në agjendë, parashikuar për të bashkëbiseduar.
Kryefjalë e takimit Blinken, Rama do të jenë çështjet e sigurisë në rajon ku Rusia haptas ka demonstruar përpjekje konstante de-stabilizuese.
Natyrshëm do të diskutohet edhe për çështje të brendshme të vendit tonë, nga ku sekretari Blinken, do të nënvizojë rëndësinë e luftës me korrupsionin një prioritet i administratës Biden.
Sekretari Blinken, mesazhet e kësaj vizite, parashikohet t’i japë në një konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Po shikohet mundësia edhe e një vizite në piramidën e transformuar në një qendër IT për të rinjtë, me ndihmën e Fondit Amerikan të Zhvillimit. Takimet në vendin tonë në këtë vizitë të gjashtit sekretar amerikan shteti, do të vijojnë me kreun e SPAK Altin Dumani.
Besohet se mund të jetë një drekë apo darkë pune, me kreun e SPAK, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të OPDAT, misionit amerikan në vendin tonë, që ka marrë pjesë në hartimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja që prej 2016.
Nga Tirana, sekretari Blinken do të udhëtojë drejt konferencës së sigurisë në Mynih, të premten e 16 Shkurtit./TCH