Mundësi shqiptar, Zelimkhan Abakarov fitoi sot pasdite medaljen e argjendtë në stilin e lirë të peshës 61 kilogramë, në Europianin e mundjes që po zhvillohet në Bukuresht.
Në finale, ai u mund 7-4 nga rusi Abasgadzhi Magomedov, por që garonte si neutral pasi Rusia është përjashtuar nga aktivitetet.
Një duel i fortë dhe me rivalitet, ku të dy mundësit kërkuan suksesin në këtë finale, por në fund ishte Magomedov ai që triumfoi. Ndërsa mundësi kuqezi Abakarov, vari në qafë medaljen e argjendtë, duke korrur një tjetër rezultat të madh në karrierën e tij.
Abakarov zhvilloi një sfidë të mirë, duke qenë edhe në epërsi në këtë finale, por pa mundur ta mbrojë epërsinë deri në fund. Medalja e argjendtë është një rezultat i shkëlqyer për Abakarov, ish-kampion bote në këtë peshë dy vite më parë.