-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Krimi, politika dhe futbolli në Serbi

Kryesoret

Futbolli në Serbi mund të ishte lojë e bukur. Sikur të mos kishte aq shumë prishës të lojës nga politika. Për ata futbolli është instrument pushteti për të manipuluar masat, nxitur urrejtje dhe arritur interesat politikë – Fjalë e mbajtur në Konferencën e Shoqatës së Evropës Juglindore në München mbi Sportin dhe Politikën në Evropën Juglindore

Dy vjet më parë, kur gati tërë bota e kishte të qartë se Rusia do ta sulmonte Ukrainën, një gazetë bulevardeske serbe njoftoi me shkronja të mëdha në ballinën e saj: “Ukraina sulmoi Rusinë!”

Në prag të dyvjetorit të sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, mediat ruse njoftuan me tone triumfaliste se fansat e “Cërvena Zvezdës”, kampionit të futbollit në Serbi, valëvitën flamujt rusë gjatë një ndeshjeje dhe brohoritën: “Rusët e serbët janë përgjithmonë vëllezër”.

Nga këndvështrimi i nacionalistëve në Serbi, dhe këtu duhet llogaritur edhe një pjesë të konsiderueshme të fansave të futbollit, Ukraina është ende agresori, ndërsa “Nëna Rusi” viktimë e botës dashakeqëse perëndimore.

Kësaj mendësie i përshtatet deklarata e kryeministres së Serbisë, e cila së fundi e krahasoi opozitën me “insekte” dhe e tha se ajo (opozita) dëshironte ta poshtëronte Serbinë si Hitleri e Himmleri dikur. Secili njeri me logjikë të shëndoshë mund të pyesë se cilat janë arsyet që kryeministrja e Serbisë ngriti akuza të tilla? Opozita është e bindur se zgjedhjet e mbajtura dhjetorin e kaluar janë manipuluar nga pushteti. Rrjedhimisht, opozita ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një hetim ndërkombëtar të mashtrimit të supozuar elektoral. Kjo kërkesë mjaftoi që pushtetmbajtësit në Beograd të humbin kontrollin. Zyrtarisht, Serbia është kandidate për anëtarësim në BE. Por kultura toksike politike u ngjan gjithnjë e më shumë parullave në stadiumet e futbollit.

Kur politikanët serbë u rreken lojërave të luftës, atëherë edhe huliganët e futbollit shtrëngojnë radhët për të nxitur me kërcënime atmosferën nacionaliste. Kur në shtatorin e kaluar u vranë tre ekstremistë serbë pas një sulmi kundër Policisë së Kosovës, fansat kryesisht të veshur me rrobe të zeza marshuan nëpër Beograd. Ndezën qirinj në Katedralen Sveti Sava dhe glorifikuan burrat që ranë “për atdhe”.

Derbi i kryeqytetit mes Cërvena Zvezdës dhe Partizanit u shty për shkak se u shpall zi kombëtare. Në një deklaratë me shkrim, “Delije”, fansat ultra-radikalë të Cërvena Zvezdës, e quajtën Stefan Nedelkoviqin “mik nga tribuna”. Kur Nedelkoviq u varros në një qytet në Serbi, fansat e futbollit qëndruan në radhë dhe mbajtën pishtarë në duar. Në varreza u shfaq edhe kreu i mafies Millan Radoiçiq, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin kundër forcave policore në Kosovë. Ky ekstremist është njeri i besueshëm i kryetarit Aleksandar Vuçiq. Dhe po ky ekstremist vazhdon të jetojë i lirë në Serbi, madje lavdërohet si hero.

Aleksandar Vuçiqi, politikani më i fuqishëm i Serbisë, është simpatizant i Cërvena Zvezdës që nga rinia e tij. Kjo domethënë që njëkohësisht duhet të kesh një aversion të thellë kundër rivalit lokal Partizanit të Beogradit. Në fillim të viteve ‘90 Aleksandar Vuçiqi ishte aktiv në skenën e fansave radikalë të Cërvena Zvezdës. Këtu krimineli Zhelko Razhnjatoviqi, i njohur me emrin “Arkan”, me ndihmën e shërbimit sekret serb rekrutoi shumë paramilitarë, të cilët lanë gjurmë të përgjakshme nga Kroacia në Bosnjë-Hercegovinë dhe tutje në Kosovë. Para së gjithash ekspeditat plaçkitëse e bënë të pasur Arkanin dhe huliganët e tij të uniformuar.

Në maj të vitit 1990, Vuçiqi ishte i pranishëm në ndeshjen e futbollit të Cërvena Zvezdës kundër Dinamos së Zagrebit. Përleshjet në rrugët e kryeqytetit kroat dhe trazirat e më pastajmë në stadiumin Maksimir ishin ngjarje që paralajmëruan luftërat që çuan në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, të shkaktuara nga udhëheqja e Beogradit.

Nuk ka dëshmi të dorës së parë që Vuçiq ka marrë pjesë në luftime. Por si ithtar i zjarrtë i kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel, Vuçiqi vizitoi ushtarët dhe paramilitarët serbë të cilët mbanin të rrethuar kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevën, dhe me atë rast vranë mijëra civilë. Njëkohësisht ai punoi si reporter i një kanali dezinformativ dhe propagandistik të serbëve të Bosnjës. Nuk i bëhet e padrejtë nëse thuhet se sjellja e tij e atëhershme ishte luftënxitëse.

Simbioza e politikës, nëntokës kriminale dhe futbollit në Serbi mbetet intakte.

Kur Vuçiq para dhjetë vjetësh, nisi të forcojë pushtetin e tij, ai në mënyrë teatrale dhe me shumë fjalë u distancua nga e kaluara e tij. Në disa kryeqytete perëndimore i besuan këtyre përbetimeve të Vuçiqit. Ai lavdërohet se e ka takuar Angela Merkelin 16 herë. Në Berlin, në Bruksel dhe në shumë kryeqytete perëndimore Vuçiqit iu shtrua qilimi i kuq.

Por Vuçiq edhe më tutje mbajti kontakte të ngushta me qarqe të dyshimta, partia e tij “përparimtare” (SNS), sipas mediave të Beogradit, rekrutoi në tribuna të futbollit tipa të dhunshëm, të cilët sulmuan opozitarët, po ashtu krerë të nëntokës u ndërsyen për t’i disiplinuar fansat e padëshiruar të Partizanit.

Fansat e Partizanit e ofendojnë Vuçiqin duke e quajtur “peder” dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Mafiozi ndërkohë, i arrestuar Velko Belivuk tregon hapur se ka vepruar me urdhër të shefit të shtetit. Belivuk thotë se ka vepruar “për nevoja të shtetit”. Drejtësia e akuzon këtë prijës të huliganëve se qëndron pas disa vrasjeve bestiale. Më 2021 Vuçiq i këndoi Belivikut për ditëlindje. Belivuk akuzohet për kidnapime, shantazh, vrasje dhe tregti me drogë.

Dhunë, piromani dhe parulla raciste karakterizojnë kulturën e fansave në Serbi. Drejtori i Cërvena Zvezdës tha në një intervistë me gazetën franceze “Le Monde” se ekipi më i madh serb nuk është “vetëm ekip futbolli, por edhe ideologji, filozofi dhe simbol nacional. Cërvena Zvezda është mbrojtëse e identitetit serb dhe e konfesionit ortodoks”.

Këtu hyn edhe afërsia e klubit me Rusinë. Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës futbolli rus u izolua në Evropë. Por në fillim të korrikut 2022, Zeniti i Shën Petërburgut e priti në Soçi kampionin serb – për Moskën ky ishte një sukses i madh propagandistik. Të dy ekipet e kanë sponsor kryesor koncernin rus të gazit Gazprom.

Gjatë duelit mes Cërvena Zvezdës dhe Partizanit në pranverë të vitit 2022 u valëvitën flamuj rus me shkronjën e madhe Z, një simbol për luftën e Vlladimir Putinit kundër Ukrainës. Fansat e Cërvena Zvezdës shpesh kërkojnë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Më 2019 ekipi zviceran i futbollit Young Boys luajti kundër Cërvena Zvezdës në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e parë u luajt në Bern, në kryeqytetin mbase më të rehatshëm në botë, dhe u shoqërua me rrahje masive. Disa persona u atakuan. Policia qe e shtyrë të ndalë sulmuesit duke shtënë në ajër. Një lokal u godit me doza birre. Fansave u pengonte me gjasë një flamur i komunitetit LGBT i varur në ndërtesë.

Para ndeshjes kthyese kundër në Beograd kundër klubit zviceran, Cërvena Zvezda vendosi para stadiumit një tank T-55. Federata Evropiane e Futbollit – UEFA atëbotë me naivitet njoftoi: “Tanku para stadiumit nuk paraqet problem derisa nuk hapet zjarr prej tij”.

Kush glorifikon dhunën, hap shtegun për rrahje masive. Më 2017 u zhvillua një betejë e vërtetë mes fansave radikalë të Cërvena Zvezdës dhe Partizanit. Dueli ka hyrë në historinë e re serbe si nata e përgjakshme e Beogradit.

Më 2009 fansat e Partizanit rrahën brutalisht një tifoz francez, i cili vdiq pak ditë më vonë. Në vitin tjetër huliganët serbë ushtruan dhunë në Itali gjatë ndeshjes kualifikuese për kampionatin evropian të futbollit. Ndeshja së pari u ndërpre përkohësisht, pastaj definitivisht. “Diçka të tillë nuk kam përjetuar kurrë”, tha trajneri i atëhershëm i Italisë, Cesare Prandelli.

Sa ngushtë janë të lidhura futbolli e politika në Serbi tregon rasti i një futbollisti serb nga Kosova. Para katër vitesh titujt e gazetave serbe ishin: “Shpërtheu bomba: serbi i parë në kombëtaren e Kosovës”; “Tmerr e turp: serbi i parë i cili luan për shtetin e rrejshëm të Kosovës”; “Kjo s’është dashur të ndodhë, atë e pret ferri”. Po çfarë kishte ndodhur? Lojtari Ilija Iviq nga fshati i banuar me serbë Graçanicë afër Prishtinës u deklaroi mediave se kishte marrë një thirrje për të qenë pjesë e ekipit U-19 të futbollit të Kosovës. Gjuetia kundër “tradhtarit të kombit” u zgjerua shpejt: nëna e tij humbi vendin e punës, pjesa tjetër e familjes u sulmua verbalisht.

Futbolli në Serbi mund të ishte lojë e bukur. Sikur të mos kishte aq shumë prishës të lojës nga politika. Për ata futbolli është instrument pushteti për të manipuluar masat, nxitur urrejtje dhe arritur interesat politike. Për fat të keq ,Serbia nuk është shembulli i vetëm në rajon.

(Kjo fjalë u mbajt më 16 shkurt në München në kuadër të Konferencës së Shoqatës së Evropës Juglindore).

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit