Ditën e sotme ashtu siç është paralajmëruar në orën 17:30, para Kryeministrisë, do të mbahet protesta e opozitës. E paralajmëruar e një përmase kombëtare, kjo do të jetë e para ku ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë i pranishëm.
Kjo protestë ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Mësohet se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Sot dita e protestës/ Berisha i pranishëm? Mbi 1 mijë policë “blindojnë” Tiranën
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.