Ditën e sotme Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e “arrestit në shtëpi” për avokatin Petraq Semani që akuzohet se mori 25 mijë euro nga familjarët e një të dënuari për t’i ulur dënimin me 15 vite burg për të “plagosje të rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”.
Hetimet zbuluan se Semani në cilësinë e avokatit u ka marrë shtetasve Ll. D. dhe S. D. një shumë monetare prej 25 000 euro, pasi i ka premtuar se do ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D. për favorizimin e tij në masën e dënimit.
Marrja e sasisë prej 9.550 euro nga avokati në banesën e shtetasit Ll. D. është regjistruar me audio dhe video nga rrethi familjar dhe shoqëror i të dënuarit. Ndërsa pjesa tjetër e parave i është dhënë avokatit me këste.
“Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim Petraq Semani i ka kthyer shtetases S. D., shumën prej 8000 (tetë mijë) Euro, ndërsa pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer” thotë SPAK.