I ashtuquajturi “mbreti i kriptomonedhës”, Hyeong Do Kwon do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , ku po ndiqet penalisht për vepra penale të kryera në fushën e operacioneve financiare, njoftoi Gjykata e Lartë e Podgoricës.
Vendimi për ekstradimin e Do Kwon-it në SHBA erdhi pasi Gjykata e Apelit urdhëroi Gjykatën e Lartë të vendosë nëse “mbreti i kriptomonedhës” duhet të ekstradohet në Korenë e Jugut apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vendimet e mëparshme, Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se kushtet për ekstradimin e Do Kwon-it ishin plotësuar dhe ia la Ministrit të Drejtësisë, Andrej Miloviç, të vendoste se cilit prej vendeve kërkuese do t’i jepte përparësi.
“SHBA është partneri ynë kryesor i politikës së jashtme, ne duam të nënshkruajmë një marrëveshje dypalëshe ekstradimi sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të krijojmë një kornizë ligjore për ekstradimet e ardhshme”, tha Miloviç.
Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë, i njohur si SEC, ka kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi ekstradimin e të pandehurit Hyeong Do Kwon, shtetasit korean të akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për mashtrim me kriptomonedha.
I akuzuari Do Kwon dyshohet se ka shkaktuar më shumë se 40 miliardë dollarë humbje si pasojë e përmbysjes së kompanisë që themeloi kriptomonedhën Terra.
Ai u arrestua nga policia malazeze në aeroportin e Podgoricës derisa po udhëtonte për Dubai me pasaportë të falsifikuar. Ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar./VOA