Punimet e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë janë drejt përfundimit, ndërkohë që inaugurimi pritet më 4 mars.
Ndërsa për herë të parë për audiencën janë publikuar dhe pamjet nga brenda bazës taktike.
Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat që u ndoqën deri më tani. Ai sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”.
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit.
“Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.