-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Jaltsinki, trauma e re dhe Ballkani

Kryesoret

Emmanuel Todd, një antropolog, historian dhe sociolog francez, në librin e tij të ri “Disfata e Perëndimit” thotë se Rusia do të fitojë në Ukrainë, më së largu deri më 2027, dhe ky do të jetë vetëm njëri prej zhvillimeve të një bote të re. Todd, si 27-vjeçar, më 1976, në bazë të analizave demografike parashikoi shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik

1.

Në fillim të luftës në Ukrainë para dy vjetësh një historian i njohur britanik shkroi se Putini do të jetë në dilemë historike për të zgjedhur mes Jaltës dhe Helsinkit. Jalta, natyrisht, i referohet Marrëveshjes së fuqive të mëdha mes Rooseveltit, Stalinit dhe Churchillit për ndarje të ndikimit të tyre në botën e çliruar nga nazizmi. Helsinki, nga ana tjetër, i referohet një modeli të ndryshëm të arritjes së Marrëveshjes për paqe evropiane, ajo kur shtetet dakordohen se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, pos me marrëveshje të ndërsjellë.

Atëbotë shkrova shkurtimisht në platformën Twitter (që tash njihet si X) se Putini do të zgjedhë t’i marrë të dyja, pra “Jaltën dhe Helsinkin”. Për rezultat, në fund do të dalë se duhet të arrihet një “Jaltsinki”, emër i derivuar nga shkurtesat e të dy marrëveshjeve.

Qesh duke menduar për këtë duke lexuar librin intensiv të antropologut, historianit, sociologut dhe intelektualit publik francez Emmanuel Todd, të botuar në janar të këtij viti në Paris, me titullin provokues “Disfata e Perëndimit”. Todd nuk flet as për Jaltën e as për Helsinkin, por mund ta kishte bërë në këtë libër të jashtëzakonshëm- ku kombinohen statistikat demografike, gjeopolitika e bazuar në sistemet patrimoniale familjare dhe gjërat si ngritja e rënia e protestantizmit, për të shpjeguar ngritjen dhe rënien e demokracive perëndimore- në të cilin autori thotë se deri më 2027 Rusia do ta fitojë luftën në Ukrainë.

2.

Dhe, nëse e fiton luftën, atëherë do të jetë e gatshme të diktojë që të dy proceset e reja: Jaltën dhe Helsinkin. Këtë nuk e thotë Todd, e them unë si konkludim logjik i librit të autorit. Sepse fillimisht duhet sqaruar se çka quhet fitore. Në analizën e antropologut francez, fitorja ushtarake e Rusisë së Putinit është e kuptueshme brenda dritares pesëvjeçare nga dita e fillimit të luftës, më 2022. Kjo dritare është e derivuar prej demografisë fillimisht – pra Rusia është duke konsumuar ciklin e fundit të numrit të këtillë të rekrutëve. Me lindshmëri prej 1.5, ky vend do të jetë gjithnjë e më i mplakur, me mungesë njerëzish për të administruar si duhet territorin e vet. Dritarja pesëvjeçare është e lidhur edhe me faktorë të industrisë e doktrinës ushtarake: Rusia hyri në luftë kur i kishte zhvilluar raketat hipersonike, një epërsi teknologjike ndaj Perëndimit. Dhe kjo epërsi apo eskalim teknologjik solli edhe eskalim të doktrinës ushtarake ruse, e cila publikisht shpalli se është në gjendje të përdorë armët bërthamore taktike (pra me efekt shkatërrimi lokal) po që se konsiderohet e rrezikuar siguria e saj kombëtare, që nënkupton edhe territoret e Ukrainës të cilat i ka aneksuar. E momenti i tanishëm në vijat e frontit në Ukrainë, pas dështimit të kundërofensivës verore nga ana e forcave ukrainase, ilustrohet me kontrastin e jashtëzakonshëm të shifrave: Rusia dhe Bjellorusia në fillim të luftës përfaqësonin 3.3 për qind të bruto prodhimit kombëtar të SHBA-së dhe të shteteve të Perëndimit, e, megjithatë, Rusia ka dërguar rregullisht armatim e municion përderisa Perëndimi nuk po arrin t’i përmbushë premtimet e veta për ndihmë ushtarëve ukrainas. Për më tepër, ideja se sanksionet dhe lufta do ta dëmtojnë ekonomikisht Rusinë aq sa të mos jetë në gjendje ta vazhdojë luftën gjatë doli të mos jetë e vërtetë. Rusia sot eksporton më shumë ushqim sesa gaz natyror; sistemin e këmbimit me dollarë e euro, të përfshirë në SWIFT, e ka ndryshuar në atë të monedhës indiane, kineze dhe rubla ruse.

Dhe, kështu, pas një elaborimi impresiv kokteji shifrash nga më të ndryshme demografike e antropologjike (rënia e shifrave të alkoolizmit dhe vetëvrasjeve në Rusi, vdekshmëria e lartë e fëmijëve në SHBA, rënia dramatike e numrit të inxhinierëve amerikanë dhe rritja impresive e atyre iranianë në universitetet amerikane) Todd thotë se fitore nga Putini do të quhej nëse mbetet me 40 për qind të territorit të Ukrainës që e ka zënë me tanke, gjak e mish. E, në librin e tij, këtu mbaron rrëfimi i luftërave (pos një për qind të territorit të Lituanisë për ta lidhur Kaliningradin me korridor tokësor me Rusinë).

3.

Dhe këtu fillon Jaltsinki.

Parashikimi i Toddit nuk është larg analizave diplomatike e ushtarake që bëhen sot rreth Ukrainës. Ka mbi një vit që herë me gjysmë goje e më shumë në mënyrë diskrete u është thënë drejtuesve të Ukrainës nga ushtarakë e diplomatë perëndimorë se kjo luftë nuk ka fund ushtarak. Me përjashtim të një fitoreje të qartë, në rastin më të keq do të mbetet një konflikt i papërfunduar, por i ngrirë. Në rastin më të mirë do të arrihej një marrëveshje me Rusinë që do të përmbushte kërkesën për ruajtjen e Ukrainës së tërë në këmbim për forma vetadministrimi të popullatës pro-Rusi në vend. Por kjo nuk duket të jetë pjesë e realitetit të sotëm; qëndrimi ushtarak i Rusisë është që territoret e zëna nuk janë pjesë e negociatave, por marrëdhënia mes Rusisë së zmadhuar me Ukrainën e cunguar. Dhe, ndihma në para e municion që po përgatitet prej Perëndimit për Ukrainën nuk është me shpresën e çlirimit të vendit, por e krijimit të kushteve që Zelenski të negociojë prej pozitës së të fortit ushtarakisht e jo si tani, të atij që duhet të tërhiqet taktikisht prej transheve të qyteteve të shkatërruara.

Fundi i këtillë i luftës do të ishte në formën më tragjike interpretim i ri dhe skajshmërisht cinik i “Helsinkit” të ri: kufijtë e rinj mes Rusisë dhe Ukrainës do të ishin fryt i marrëveshjes mes tyre.

Por ku do të mbetej “Jalta”? Versioni i vjetër do të mbetej në histori, me fotografinë bardhezi të Stalinit, Rooseveltit dhe Churchillit të ulur për fotografinë e mbamendjes së shekullit XX. Tash, në shekullin XXI dhe gjatë luftës në Ukrainë është zhvilluar një pol tjetër JoPerëndim i ndërtuar pjesërisht edhe me solidarizim me Rusinë. Aty janë Kina, India, Brazili, Turqia, e pas sulmit izraelit në Gaza, pothuajse të gjitha shtetet që e konsiderojnë veten myslimane. Në Jaltën e vitit 1945 një luftë e filluar në Evropë solli rirregullimin e botës në bazë të marrëveshjes mes SHBA-së, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe. Ky version është shembur në këtë luftë evropiane të vitit 2022 dhe në mendjen e Putinit e bashkëmendimtarëve në fqinjësi e kontinente të tjera rirregullimi do të jetë mes të gjithë tyre dhe Perëndimit.

4.

Librin e Emmanuel Toddit e lexova më shumë si një paralajmërim për tërë një periudhë më të gjatë që na pret, sesa vetëm si alarm për luftën në Ukrainë. Si 25-vjeçar, Todd, më 1976, analizoi indikatorët e rritjes së vdekshmërisë së fëmijëve në Bashkimin Sovjetik, pas një periudhe konstante rënieje, dhe paralajmëroi shembjen e këtij shteti. Analiza e tij gjeopolitike sot e bazuar në indikatorët socioekonomikë, kulturorë e religjiozë dhe demografikë paralajmëron një rënie dramatike të Perëndimit.

Për Ballkanin Perëndimor traumat e mëdha botërore u shtohen traumave e sfidave vetjake. Rënia e Bashkimit Sovjetik, të cilin e paralajmëroi Todd më 1976, u përcoll me zhbërje të përgjakshme e në luftë të ish-Jugosllavisë, një proces i cili ende nuk ka arritur të përfundojë në paqe. Trauma e re, e filluar me luftën në Ukrainë, e ka mbajtur Ballkanin Perëndimor në gjendje pritjeje, duke shtyrë edhe më rrugën për të përfunduar në paqe. Por për këtë në ndonjë shkrim tjetër./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit