Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se në Ukrainë po marrin pjesë mbi 13 mijë mercenarë të huaj.
Sipas një deklarate nga kjo ministri, thuhet se që nga 24 shkurti i vitit 2022, numri i përgjithshëm i mercenarëve të huaj që kanë mbërritur në Ukrainë është 13,387.
Duke mos dhënë detaje se nga i kanë marrë këto të dhëna, kjo ministri thotë se deri më sot është konfirmuar vrasja e 5962 prej tyre.
Lideri i padiskutueshëm për sa i përket numrit të luftëtarëve të vrarë, sipas Moskës zyrtare, është Polonia me 2960 mercenarë, nga të cilët 1497 të vrarë.
Në listë, Rusia ka përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë me 191 dhe 192 mercenarë që pretendon se kanë shkuar për të luftuar në krah të Ukrainës.
Gjithnjë sipas këtyre shifrave, thuhet se 84 mercenarë nga Kosova tashmë janë vrarë në këto luftime, kurse nga Shqipëria 87.
Në listën e publikuar nga kjo ministri, thuhet se mercenarë ka edhe nga Rumania, Gjermania e vende tjera evropiane, amerikane, aziatike, afrikane e australiane./KlanKosova