Shkrimi i plotë i New York Times për projektin e dhëndrit të Trump në Sazan
Jared Kushner, dhëndri i Donald J. Trump, konfirmoi të premten se ai po mbyllte marrëveshje të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi, shembulli më i fundit i familjes së ish-presidentit që bën biznes jashtë vendit, edhe pse zoti Trump kërkon për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Planet e z. Kushner në lidhje me Ballkanin duket të jenë edhe rezultat i marrëdhënieve të ndërtuara gjatë kohës që z. Trump ishte president i SHBA. Zoti Kushner njëherazi ish zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se për marrëveshjet në Ballkan kishte bashkëpunuar me Richard Grenell, i cili ka shërbyer për pak kohë si drejtori në detyrë i inteligjencës kombëtare të presidentit Trump dhe, më pas, si ambasadori ShBA në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan.
Një nga projektet e propozuara është kthimi i një ishulli në brigjet e Shqipërisë në një destinacion turistik luksoz. Sipas një anëtari të parlamentit serb dhe pohimeve nga kompania e z. Kushner, projekt i dytë është një hotel luksoz, 1500 njësi banimi dhe një muze në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, më saktë në vendndodhjen e selisë së dikurshme të Ushtrisë Jugosllave, e cila u shkatërrua në vitin 1999 nga bombardimet e NATO-s.
Të dy këto dy projekte pritet të ndërtohen në tokë që kontrollohen nga qeveritë përkatëse, pra edhe se marrëveshjet do të duhet të finalizohen me këto qeveri. Projekti i tretë mendohet të jetë po në Shqipëri. Bëhet fjalë për ndërtime në gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej 1000 hektarësh në jug të Shqipërisë, pjesë e desticanionit turistik të Vlorës, ku, sipas planit, pritet të ndërtohen disa hotele dhe qindra vila.
Përfshirja e zotit Kushner do të jetë nëpërmjet firmës së tij investitore, Affinity Partners, e cila krahas të tjerë investitorëve të huaj, është financuar me 2 miliardë dollarë amerikanë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Një zyrtar i Affinity Partners deklaroi se nuk ishte përcaktuar ende nëse fondet saudite do të jenë pjesë e ndonjërit prej projekteve që zoti Kushner po shqyrton në Ballkan.
Në një intervistë z. Kushner tha:
“Jemi shumë të kënaqur. Këto marrëveshje nuk i kemi finalizuar ende, pra ato mund të mos konkretizohen, por kemi punuar fort dhe jemi shumë pranë (finalizimit)”.
Zoti Kushner e krijoi kompaninë e tij të investimeve, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku kishte pozicionin e këshilltarit të lartë. Ai ktheu në kapital marrëdhëniet që kishte ndërtuar gjatë negociatave qeveritare në Lindjen e Mesme, ku përfshihet marrëdhënia e ngushtë me princin e kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të Arabisë Saudite.
Zoti Kushner arriti të siguronte 2 miliardë dollarë nga fondi i pasurisë së sovranit të Arabisë Saudite dhe qindra miliona dollarë të tjera nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Deri më tani, publikisht ai ka hedhur disa hapa për të investuar shuma të konsiderueshme të këtyre parave.
Gjatë kohës që ka qenë pjesë e administrates edhe zoti Grenell ka krijuar lidhje të vyera, ku, dukshëm, përfshihen edhe lidhje që i kanë siguruar ekipit të Kushner një mundësi nga brenda për të investuar në Ballkan. Gjatë periudhës kur ishte pjesë e administratës Trump, zoti Grenell ka punuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.
Këto diskutime përfshinin në mënyrë jo të drejtpërdrejt Shqipërinë, pasi shumica e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë etnikë dhe Shqipëria ka rolin e saj në diskutimet rajonale. Zoti Grenell ka mbajtur raport të afërt me zotin Trump edhe pasi ky i fundit u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe ka vijuar ta mbrojë atë publikisht.
Sipas burimeve që duan të ruajnë anonimatin, privatisht, z. Grenell ka pohuar se shpreson të jetë sekretar i shtetit në një administratë të dytë Trump. Por në një intervistë, nuk ka pranoi të adresonte interesimin e tij për postin e sekretarit të shtetit. U shpreh se nuk e kishte vendosur nëse do t’i bashkohej administratës së ardhshme të Trump.
Presidenti i Public Citizen, Robert Weissman, i cili punonte mbi marrëveshjet e biznesit që i konsideronte si konflikt interesi gjatë administratës Trump, tha se këto marrëveshje të planifikuara ishin joetike dhe do të ngrinin vetëm pyetje të reja për familjen Trump, veçanërisht nëse zoti Trump rizgjidhej.
“Në këtë pikë të ciklit zgjedhor Jared Kushner duhet të ngrijë çdo plan të ri investimi,” tha zoti Weissman. “Në veçanti ky plan investimi duket se ka në vete tendencat më korruptive të administratës dhe familjes Trump”.
Përfshirja e familjes Trump në marrëveshje të jashtme biznesi ka qenë një prej fokusëve kryesorë të mandatit të zotit Trump, ndërsa kritikët, në fund, e paditën me pretendimin se familja po përfitonte në mënyrë jo të ligjshme pagesa të huaja, të cilave iu referohej si shpërblime ndaj Kushtetutës.
Këto çështje u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë sit ë diskutueshme, kur zoti Trump la detyrën, por ato mund të rihapen nëse ai do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Që nga largimi i tij, zoti Trump është bërë partner në një projekt zhvillimi në Oman, një marrëveshje tek e cila u përfshi nga një firmë saudite pasurish të patundshme, e cila ka lidhje me qeverinë saudite.
Zoti Kushner kundërshtoi me forcë idenë se ai po trajtohej në mënyrë preferenciale për shkak të detyrës së tij të mëparshme në qeveri dhe që ndonjë nga projktet e tij të kishte lidhje me ish-presidentin.
“Askush nuk po ‘më jep’ marrëveshje” deklaroi Kushner, i cili këmbënguli se nuk kishte në plan të kthehej në Uashington, nëse vjehrri i tij fitonte përsëri presidencën. “Unë operoj me mjaft përpikëri dhe këto investime do të sjellin shumë të mira për komunitetet lokale, partnerët tanë dhe investitorët tanë”.
Ndërsa përfaqësuesit e zotit Trump nuk iu përgjigjën emaileve të shumta që iu adresuan për këtë çështje. Që nga sulmi i 6 janarit në Kapitol, z. Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka kanë qëndruar relativisht larg aktiviteteve politike të zotit Trump.
Kushner dhe bashkëshortja e tij e kanë vizituar Shqipërinë dy here, pas largimit të zotit Trump nga detyra. Ata udhëtuan me zotin Grenell, e madje u takuan edhe me kryeministrin e Shqipërisë. Kushner dhe znj. Trump, së bashku me z. Grenell, janë fokusuar disi në Sazan, një ishull mesdhetar në jug të Shqipërisë që deri në fund të Luftës së Ftohtë ishte përdorur nga Bashkimi Sovjetik dhe nga qeveria komuniste e Shqipërisë si bazë e fshehtë ushtarake për nëndetëset. Sipas planit, në ishull do të ndërtohet një hotel dhe vila luksoze.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Sazani ka qenë thuajse bosh, por është afër një tjetër destinacion turistik në Shqipëri. Ishulli dy milje katrorë me reliev të thyer ka qindra bunkerë dhe tunele të epokës së Luftës së Ftohtë, të projektuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore dhe të cilët kanë qenë kryesisht të papërdorura që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Ishulli gjendet vetëm një gjysmë ore me skaf nga Vlora, një destinacion turistik në jug të Shqipërisë, ku qeveria e Arabisë Saudite po shpenzon para për përmirësimin e shërbimit të energjisë elektrike si dhe të shërbimeve të tjera publike, si ndihmë për promovimin e turizmit në Shqipëri.
Zoti Grenell, një ish-bashkëpunëtor i Fox News dhe konsulent mediatik, është duke punuar ngushtë me zotin Kushner dhe firmën e tij të investimeve. Grenell është përpjekur që t’i transformojë marrëdhëniet që ai ndërtoi në Shqipëri dhe gjetkë në Ballkan në përfitime personale. Ai e ka vizituar rajonin vazhdimisht dhe është takuar me drejtues të industrisë së hotelerisë, si dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Ne po kërkojmë mundësi për të investime të huaja në Ballkan, më konkretisht në Shqipëri, dhe bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm”, është shprehur zoti Grenell në një nga një sërë intervistash që ka dhënë për televizione dhe gazetë të ndryshme në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit.
Menaxhimi i projekteve nga afër pritet të bëhet nga Asher Abehsera, një zhvillues i pasurive të paluajtshme nga Kalifornia, i cili ka punuar më pare për projektet e z. Kushner në Brooklyn. Në fakt, ai ka vizituar Ballkanin bashkë me z. Grenell dhe z. Kushner për të inspektuar sitet për zhvillim, u shpreh z. Kushner.
Gjatë një interviste televizive gati 90-minutëshe vitin e kaluar, në Shqipëri, z. Grenell tha se nuk kishte asgjë të gabuar me marrëveshjet që bënte, pasi tashmë ai nuk ishte pjesë e qeverisë. “Jam duke punuar në projekte, projekte të kapitalit privat, nga të cilat mund të fitoj para,” tha ai. “Askush që dëshiron të fitojë para nuk k apse kërkon falje.”
Korrikun e kaluar zoti Grenell së bashku me Ivanka Trump dhe zotin Kushner u takuan edhe me zotin Rama në Tiranë, ku edhe dolën në fotografi të gjithë bashkë. Prej më shumë se një dekade, zoti Rama ka dashur ta hapë Sazanin drejt rizhvillimit si destinacion turistik. Ai gjithashtu kërkon mënyra të tjera për të tërhequr investitorë të huaj në Shqipëri për të zgjeruar ekonominë e saj turistike.
Auron Tare, një ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë që ka shërbyer edhe si këshilltar i zotit Rama, shoqëroi zonjën Trump dhe zotin Kushner në ishullin e Sazanit në vitin 2021, gjatë një vizite në Shqipëri, ku çifti lundroi me jaht dhe me helikopter nëpër bregdet. Gjatë një interviste, zoti Tare u shpreh se ka diskutuar me zotin Kushner dhe znj. Trump dëshirën për të zhvilluar Sazanin, por për ta bërë këtë në një mënyrë që do të ruante historinë dhe mjedisin. Kushner dhe z. Grenell kanë bashkëpunuar ngushtë me një miliarder të biznesit shqiptar të quajtur Shefqet Kastrati dhe djalin e tij, Musa Kastrati.
Investimet e tyre përfshijnë një koncesion për të drejtuar aeroportin ndërkombëtar në Tiranë, një zinxhir pikash karburanti në Shqipëri, si dhe hotele e biznese të tjera. “Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, tha zoti Kushner në një intervistë. Sipas të dhënave të regjistruara, në tetor të 2022-it, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh në Indian Creek të Floridas. Kjo prone gjendet është afër vendit ku zonja Trump dhe zoti Kushner jetojnë tani. Vitin e kaluar, familja Kastrati gjithashtu bleu nga familja mbretërore e Katarit për 55 milionë dollar një hotel në seksionin Brickell të Miami-t.
Në një intervistë, Musa Kastrati tha se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por se mund të përfshinte ndihmë për ndërtimin e disa prej komplekseve. Po ashtu, z. Kastrati konfirmoi se bashkë me z. Grenell kishte vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida, në dhjetor të 2022-it dhe se atëherë ishte takuar shkurtimisht edhe me zotin Trump kur ish-presidenti kishte ardhur, teksa ata po darkonin. Zoti Kastrati u shpreh se nuk kishte folur rreth marrëveshjes së mundshme me zotin Trump.
Në Instagram dhe në rrjete të tjera sociale, zoti Grenell ka promovuar vazhdimisht turizmin në Shqipëri dhe ka lavdëruar kryeministrin Rama. “Unë e mbështes vizionin e Ramës për Ballkanin”, tha zoti Grenell në një intervistë televizive në vitin 2021, pasi u takua me një tjetër drejtues të industrisë së hotelerisë në Shqipëri të quajtur Irfan Hysenbelliu. “Unë e dua Shqipërinë dhe ftoj investitorët amerikanë të vijnë këtu”.
Së fundmi, qeveria e Arabisë Saudite ka njoftuar se po përpiqej të gjente mënyra për të rritur investimet e veta në Shqipëri, së pari duke ndihmuar në ndërtimin e shërbimeve të ujit, energjisë elektrike dhe kanalizimeve pranë zonave të plazhit në Vlorë, që është pika e nisjes për në Sazan dhe ku, tashmë, po ndërtohet një aeroport i ri ndërkombëtar.
Qeveria saudite është shprehur se dëshiron të investojë deri në 300 milionë dollarë në Shqipëri. Në fillim të këtij muaji, zyrtarë sauditë udhëtuan në Shqipëri për të njoftuar krijimin e atij që ata e quajnë Këshilli i Biznesit Saudi-Shqipëri me qëllim “krijimin e një partneriteti të ri ekonomik midis dy vendeve”, ku përfshihen projektet turistike. Kryetari i grupit saudit, Abdulrahman Al-Mufarreh, nuk iu përgjigj kërkesave për ta komentuar këtë.