Vrasja e bujshme e Gentjan Bejtjas, i cili u ekzekutua pasditen e të premtes brenda banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë Krujës i tronditi të gjithë.
I ftuar në Euronews, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, tha se Bejtja ka qenë bashkëpunëtor i bandave të Fushë Krujës në disa krime të kryera.
Karamuço tha se vrasja na çon tek ekzekutimi me snajper në Vlorë i Gëzim Sinomatit, pasi në të dyja atentatet u ul automati i energjisë elektrike dhe u fikën dritave.
“Kjo ngjarje mund të na çojë te vrasja me snajper në Vlorë, pasi ka patur fikje të dritave, ulje të automatit të energjisë elektrike. Nuk po them i njëjti grup, por e njëjta metodë. Mund të jetë një person në grup që ka marrë pjesë në planet dhe realizimet.
Ju e dini që grupet në Fushë Krujë bëjnë goditje që nga Shkodra deri në Sarandë, janë të lidhura me të gjitha grupet në të gjithë vendin, janë trans-kombëtare. Janë grupe që shkojnë në çdo cep të vendit dhe paguhen mirë. Bëjnë planin kryejnë goditjen dhe kthehen aty në strofullën e tyre ku ndihen të sigurtë.
Në rastin konkret viktima ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale dhe ka shumë informacion të mbledhura, duke filluar nga ngjarja e kryekomisarit Dritan Lamaj, me vrasjen e Santos, zhdukjen e vrasësit të dyshuar të Santos, Stafukës, ose të grupit.
Ai grup është i çarë më dysh tani. I kanë ndarë interesat dhe informacionet. Edhe midis bandave ka hyrë frika e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe për të mos ndjerë asnjë rrezik ata kanë filluar t’i heqin një nga një ata që kanë informacione”, tha Karamuço.