Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk ishin “as të lira, e as të drejta” dhe vetëm konfirmuan se Rusia “është një shoqëri autoritare”.
Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 18 mars në Tbilisi, Stoltenberg tha se zgjedhjet që i dhanë presidentit Vladimir Putin mandatin e pestë “ishin të manipuluara, dhe pa dyshim, pa befasi”. Ai tha po ashtu se përpjekjet e Moskës për të mbajtur zgjedhje në territoret e pushtuara të Ukrainës ishin shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Shefi i NATO-s tha se Putini bëri deklaratë të pasaktë kur gjatë fjalimit të fitores tha se trupat e NATO-s janë në Ukrainë. Aleatët e NATO-s kanë ofruar trajnime, por “nuk po planifikojnë asnjë prani ushtarake në terren”.
Stoltenberg përsëriti se NATO vazhdon të ketë politikën e derës së hapur për shtetet që duan të anëtarësohen dhe mohoi se aleanca po “zgjerohet në mënyrë agresive kah lindja”, që ishte një prej justifikimeve që Putini përdori për të nisur pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Shteteve në Evropën Lindore u është thënë se nëse plotësojnë standardet e NATO-s dhe janë shoqëri demokratike, anëtarësimi në aleancë është i hapur për ta, tha ai.
Shefi i NATO-s nuk deshi të flasë nëse Ukrainës do t’i hapet rrua për anëtarësim në NATO gjatë samitit të aleancës në Uashington në korrik, por ai tha se pret që NATO-ja të marrë “vendime që do t’i mundësojnë Ukrainës të jetë më afër NATO-s”, përfshirë hapa për t’u siguruar se ushtria e Ukrainës “është plotësisht në përputhje” me NATO-n./REL