Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkoi falje nga foltorja e Kuvendit që nuk e ka ngritur zërin më parë, sikur i tha Elisa Spiropali për ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“Për dikë që ka pasur për dy vite rolin e bashkëkryetarit të reformës zgjedhore duhet të kishit treguar pak më shumë durim. Pas gjashtë muajsh sjellje vërdallë të propozimeve të opozitës, sot duhet të kishit guximin të dilnin për të thënë një PO ose JO. Lojërat e fjalëve nuk pinë më ujë. Shqiptarët duhet të dinë se cfarë mendimi keni, apo të gënjeshtarëve të tjerë që thonë komisioni nuk ka produkt.
Produktin e keni brenda, e para kundër vjedhjes së votës, kundër përdorimit të administratës, për ndëshkimin e krimeve, dhe paketa e dytë që e keni brenda. Por nuk keni dëshirë ta diskutoni apo të bëni transparencë për listat e hapura, diasporën dhe Shqipërinë një zonë zgjedhore.
Pjesa më e dhimbshme dhe më e shtrenjtë, është pazari i heshtur i interesave të ngushta për t’u mbërthyer pas karrigeve dhe servilizmit. Ka të drejtë zonja ministre, nuk e kemi ngritur zërin atëherë për ndryshimet e marrëveshjes së 2008-ës. E kërkoj ndjesën sot, edhe si kryetar i PD-së. Sigurisht…paksa shpresonim që ndryshimet e 2008 do të përmirësonin cilësinë por e shkatërruan.
Na sollën në këtë teatër kukullash. Gjashtë muaj teatër, kjo tregon se vendimin e keni marrë. Hidhni propozimet institucionale të PD-së dhe kërkoni votën e Kuvendit që cdo shqiptar ta kuptojë nëse jeni pro apo kundër listave të hapura, diasporës, Shqipërinë një zonë zgjedhore….” tha ai.