Qeveria shqiptare ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës Evropiane për Të Drejtat e Njeriut për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në lidhje me dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit.
Ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do botohet në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi:
Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.63543/09, për secilën kërkesë.
Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të të gjithë kërkuesve nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.
Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA