Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka denoncuar sot në prokurori se në selinë e subjektit që drejton është vjedhur rrjetin e komunikimeve elektronike dhe një hard disc.
Edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili denoncoi përmes një postimi në Facebook duke pretenduar se persona të paautorizuar kanë hyrë në selinë e kësaj partie dhe kanë marrë prej aty sende.
Vasili thekson se këta persona, kanë grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajsje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
“Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristike e “Rilindjes”, që kërkon të Qeverisë vetëm përmes shantazhit dhe presionit.
Në zyrat e saj kanë hyrë në mesnatë persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajisje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
Partia e Lirisë në respekt të ligjit ka depozituar denoncimin e kësaj ngjarjeje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve.
As kjo tentativë dhe asnjë presion nuk e ul dot ritmin dhe vendosmërinë e Partisë së Lirisë për t’u përballur me “Rilindjen” dhe mashat e saj, por përkundrazi shumëfishon energjitë e saj në betejën për përmbysjen e narkoqeverisjes rilindase” shkruan ai.