Muri i heshtjes është shembur. Francesco Schiavone, i njohur si ‘Sandokan’, lideri i Casalesi, një nga klanet më të frikshme të Camorra në Itali, është penduar dhe ka filluar të bashkëpunojë me prokurorët e Napolit.
Schiavone ndodhet në burg prej vitit 1998 ku u arrestua në një bunkier në qytetin e tij dhe mori dënimin me burg të përjetshëm.
Në vitin 2018 ishte djali i tij Nikolla, i pari në familje që u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë. Pas tij në vitin 2021 edhe djali i dytë Walter. Djemtë e tjerë Emanuele Libero, i cili do të lirohet nga qelia gushtin e ardhshëm dhe Carmine mbeten në burg, ndërsa gruaja e Sandokan, Giuseppina Nappa, është e lirë.
Francesco Schiavone dikur një nga bosat e mafias më të frikshëm dhe mizor të Europës dhe jo vetëm, është kthyer në shpresën e fundit të prokurorëve të Napolit për të zbardhur disa vrasje që sot e kësaj dite janë një mister.
Si vrasja në Brazil në vitin 1988 e themeluesit të klanit Antonio Bardellino, ose mbi lidhjet mes Camorra-s dhe politikës. Tashmë 70-vjeçar, ai ka marrë pseudonimin Sandokan, për shkak të ngjashmërisë së tij me aktorin e serialit të njohur televiziv Kabir Bedi.