Nga aksidenti i rëndë që ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Itali ka mbetur i vdekur një shqiptar nga Kosova, me vendbanim në Zvicër, i cili po lëvizte me “Ferrari”, në rrugën midis Ivrea dhe Santhia, në veri të Italisë.
Sipas mediave italiane, makina ka qenë së fundmi duke ngarë me mbi 200 km/h dhe pastaj ka rrëshqitur në rrugën e lagësht hyrëse duke u përplasur me parmakun në të majtë. Më në fund Ferrari ka shpërthyer në flakë. Çdo ndihmë ka ardhur tepër vonë për dy të ngujuarit në makinën e përfshirë nga flaka.
Agim Qesta (41) konfirmon për gazetën se i vdekuri ishte vëllai i tij dhe se Ferrari i përkiste atij. Një pikëllim i madh për vdekjen e tij vërehet edhe në rrjetet sociale.
Vëllai Agim Qesta nuk e di se si ka ndodhur aksidenti, kush ishte në timon dhe kush ishte viktima tjetër – një grua, sipas raportimeve të mediave italiane, përcjell albinfo.ch.
“Për momentin nuk kemi marrë shumë informacion nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani kujdeset për të gjitha”. E tëra që ai di është se një test i ADN-së tani është në pritje.
Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi i viktimave është i komplikuar pasi të vdekurit janë djegur keq. Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurit përmes analizës së ADN-së.
Vetë vëllai sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por tani po udhëton për në Zvicër.
“Ne duam të mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”, tha ai.