Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm nga Irani ndaj interesave izraelite apo amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit ajror të Izraelit tek ambasada iraniane në Siri, tha të premten një zyrtar amerikan.
“Jemi pa dyshim në një gjendje të lartë vigjilence”, tha zyrtari, duke konfirmuar një njoftim të bërë fillimisht në kanalin televiziv CNN, se sulmi mund të ndodhë gjatë javës që vjen.
Mendohet se ishin avionët izraelitë që sulmuan ambasadën iraniane në Damask të hënën, duke shënuar kështu një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.
Presidenti amerikan Joe Biden e diskutoi këtë çështje gjatë një telefonate të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Ekipet tona mbajnë kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme që nga ai moment. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit nga rreziqet nga Irani”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden.
Ndërkaq, komandanti i Gardës së fuqishme Revolucionare të Iranit paralajmëroi të premten se “burrat tanë guximtarë do ta ndëshkojnë regjimin zionist”, duke përshkallëzuar kështu kërcënimet ndaj Izraelit pas sulmit ajror që vrau më herët këtë javë shtatë zyrtarë të lartë të gardës, ndër ta edhe dy gjeneralë/ VOA