-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Pse një i dërguar i ri për dialog?

Kryesoret

Në momentin kur BE-ja fillon të mendojë për pasardhësin e M. Lajçakut, bën tri konstatime jo gjithaq të mira për vete. Ja cilat

1.

Përfundimi i afruar i mandatit të Miroslav Lajçakut si i dërguar i veçantë për dialogun Kosovë-Serbi (dhe për të gjitha çështjet e pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor) nxori, siç ndodh zakonisht, pyetjen se kush do të jetë kandidati për të dërguar të veçantë të radhës, dhe ende pa u bërë kjo pyetje –  ngase mandati i Lajçakut përfundon në gusht – që tani u bë publik emri i ish-presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, si kandidat me përkrahje zyrtare të shtetit të tij.

Do të ketë në këto javët e muajt e ardhshëm analiza bilanci për mandatin e Lajçakut dhe analiza se çfarë mund të jetë roli i ardhshëm i Borut Pahorit apo i ndonjë kandidati tjetër që fiton besimin për të qenë i dërguar i veçantë për dialogun Kosovë-Serbi (dhe për “çështjet e mbetura të Ballkanit Perëndimor”). Por, në vend të një kahu të këtillë, mendoj se ia vlen të ceken tri konstatime të dala që tani ende pa u vlerësuar Lajçaku dhe ende pa u ditur se kush do të jetë kandidati i ri.

2.

Pra, të fillojmë me konstatimin e parë. Nëse thuhet se pas Lajçakut do të emërohet një i dërguar i ri i veçantë për dialogun, atëherë Bashkimi Evropian po konstaton se punët që i ka bërë i ka lënë të papërfunduara apo nuk i ka bërë mirë- varet prej këndvlerësimit. Kur në Bruksel dhe në Ohër më 2023, në prani të kryeministrit të Kosovës dhe të presidentit të Serbisë u konstatua nga nënkryetari i Komisionit të BE-së, J.Borell, se Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për Marrëveshjen bazike (të quajtur “të rrugës për normalizimin”)- vetë ky akt do të duhej të ishte një deklarim i punës së kryer i të dërguarit të veçantë.

Analogjia më e afërme, sepse Marrëveshja Kosovë-Serbi është modeluar sipas saj, është momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes bazike mes dy Gjermanive; prej atij momenti të gjitha çështjet problematike mes dy shteteve trajtoheshin në nivel konsultimesh mes misioneve diplomatike, dy ministrive respektive të jashtme apo grupeve implementuese.

Po të vlente analogjia, momenti kur Kosova dhe Serbia u dakorduan se marrëdhëniet e ndërsjella do të jenë të bazuara në integritetin e sovranitetin respektiv të të dyjave e në bazë të Kartës së OKB-së, që nga vera e vitit të kaluar nuk do të duhej të kishte të dërguar të veçantë- e tëra do të menaxhohej nga misionet diplomatike të të dy vendeve, ministrive të jashtme apo grupeve ad-hoc për zbatim.

Kjo nuk ndodhi, jo për faj të tekstit. Teksti është pothuaj i njëjtë në të dyja rastet, të marrëveshjes gjermane dhe kësaj ballkanike. Por ai gjerman është i nënshkruar, e ky tjetri është i interpretuar si valid nga ana e BE-së, por jo domosdoshmërisht nga njëra prej palëve.

3.

Kështu hyjmë në konstatimin e dytë.

Nëse BE-ja emëron një të dërguar të ri të veçantë që ta trashëgojë Lajçakun, atëherë kjo është për të përfunduar punën e pakryer, atë të Marrëveshjes së (rrugës drejt) Normalizimit. Por kjo ka më vete kundërthënie logjike: nëse BE-ja thotë se Marrëveshja Bruksel/Ohër mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje ligjshmërisht e obligueshme, atëherë ajo është e përfunduar dhe rrjedhimisht nuk duhet një i dërguar i veçantë që ta përfundojë këtë marrëveshje.

Për më tepër, Marrëveshja tashmë është shndërruar në obligim i Serbisë ndaj BE-së në kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE. E njëjta gjë pritet të bëhet me Kosovën në stadin e tanishëm integrues (shumë të ulët) që ka vendi. Rrjedhimisht, kjo tashmë duhej të ishte një çështje e mekanizmave të integrimit në BE të dy vendeve aspiruese, jo e vendosjes së marrëdhënieve mes dy shteteve të antagonizuara që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën.

Por kjo nuk është çështje e mekanizmave integrues në BE për Serbinë. Këtë e kanë shprehur publikisht presidenti Vuçiq gojarisht e kryeministrja Bërnabiq me shkrim. Pra, Serbia e kontestoi me shkrim Marrëveshjen në nëntor të vitit 2023, duke kontestuar pikat parimore mbi të cilat ndërtohet marrëveshja e ajo është marrëdhënia mes dy shteteve sovrane e bazuar në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas Konventës së Vjenës për Traktatet Ndërkombëtare, Serbia ka tërhequr çfarëdo pëlqimi apo interpretimi të pëlqimit gojor për Marrëveshjen Bruksel/Ohër duke kontestuar qëllimin e Marrëveshjes, normalizimin mes dy shteteve sovrane.

4.

Dhe, me këtë hyjmë edhe në konstatimin e tretë.

BE-ja di që do të dërgojë një pasues për Lajçakun, por nuk di saktësisht se për çka: të zbatojë marrëveshje, të arnojë marrëveshje apo të ringjallë marrëveshje?

Mbase do të ishte mirë që para se të fillojnë procedurat për emërimin e të dërguarit të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të bëhet një analizë me detyrën për të gjetur përgjigjen jo për “kush”, por për “çka saktësisht”?

Momenti nuk është krejtësisht i volitshëm për këso analize në BE, ngase fillon stina e zgjedhjeve për Parlament Evropian nga i cili do të dalë Komisioni i ardhshëm, ndërkohë që vendimet për “çka” do të bëjë kushdo që zgjidhet  i përkasin kësaj përbërjeje.

Ndoshta nuk do të ishte keq që përsiatje për këtë të bëhej në shtetet e QUINT-it nga një këndvështrim që do ta shikonin këtë në kontekstin e stabilitetit regjional. Një bilanc real i gjendjes do të tregojë se punët e pakryera nga BE-ja në relacionin Kosovë-Serbi janë pjesë e hartës së jostabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Një bilanc i ndërtuar mbi mendim dëshiror do të tregojë se punët e BE-së (Marrëveshja, Plani i rritës, etj.) janë në rregull, por realiteti është pak kokëfortë dhe nuk po kupton.

Zakonisht në këto raste fiton inercioni. Në Bosnjë-Hercegovinë ndërrohen përfaqësuesit e veçantë tashmë gati 30 vjet, në Kosovë mbi dhjetë. Në mungesë të një analize kritike të gjendjes, Komisioni i tanishëm mund të zgjedhë rrugën e rrahur e të emërojë një person të cilit pastaj ia jep detyrën që të vazhdojë shtigjeve të paraardhësit.

Apo, ndoshta Komisioni mund të na befasojë? / KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit