Ka rënë në prangat e policisë Bahrije Gjuni, gjyshja e 3-vjeçarit të zhdukur në Durrës, i rrëmbyer po nga ajo vetë.
Ajo pranoi ditën e sotme të dorëzonte nipin në polici pas 1 jave të mbushur me ankth dhe arrestime, ndërsa është nën akuzën e rrëmbimit të personit.
Para policisë ajo ka dëshmuar edhe se ku ka qëndruar me djalin ditët që ia mori nënës dhe u largua nga banesa e saj.
“E kemi vendosur së bashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë.
Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.
Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje”, ka deklaruar gjyshja.