Europa mund të vdesë. Ky është parashikimi i zymtë i Presidentit të Francës Emmanuel Macron. Lufta në Ukrainë, presioni i SHBA-së ndaj Europës dhe rritja e fuqisë ekonomike kineze, mund të përbëjë një shkatërrim të mundshëm të Europës. Në një fjalim solemn të mbajtur në Universitetin e Sorbonës në Paris, Macron evokoi vdekjen e Evropës si një mundësi reale.
“Ne jemi në një moment të paprecedentë të trazirave globale, të përshpejtimit të ndryshimeve të mëdha dhe mesazhi im sot është i thjeshtë: Europa jonë është e vdekshme, ajo mund të vdesë, dhe kjo varet vetëm nga zgjedhjet tona. Rreziku kryesor për sigurinë evropiane është lufta në Ukrainë. Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë”, tha Macron.
Macron tha se Evropa rrezikon të bjerë ekonomikisht pasi rregullat globale të tregtisë së lirë po sfidohen nga konkurrentët kryesorë. Banka Qendrore Evropiane nuk duhet të synojë vetëm inflacionin, por edhe rritjen dhe klimën, theksoi shefi i Elizes. Macron bëri thirrje për mbrojtje më të fortë dhe më të integruar evropiane dhe jo të bëhet vasal i Shteteve të Bashkuara.
“Ne duhet të vazhdojmë të kemi partneritete me vendet e tjera. Do të thotë të ndërtojmë një Evropë që mund të tregojë se nuk është kurrë vasal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se di të flasë me të gjitha rajonet në botë, me vendet në zhvillim, në Afrikë, Amerikën Latine dhe jo thjesht përmes marrëveshjeve tregtare, por me strategji reale të partneriteteve të balancuara dhe reciproke”, u shpreh presidenti francez.
Macron tha se BE-ja duhet të synojë të bëhet “lider botëror” deri në vitin 2030, me “strategji të përkushtuara financimi” në pesë fusha strategjike: inteligjenca artificiale, informacioni kuantik, hapësira, bioteknologjitë dhe energjitë e reja.