Ka rënë në prangat e policisë së Fierit, 31-vjeçari Sadri Selaci, i dënuar me 19-vite burg për një vrasje të kryer në vitin 2019.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Sharp”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për vrasje.
I dënuar me 19 vjet burgim, për një vrasje me mjet prerës (thikë), të kryer në vitin 2019, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S..” njofton policia.