Gjykatësi, Juan Merchan, vendosi të martën se ish Presidenti Donald Trump shkeli urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi e gjobiti zotin Trump me 9 mijë dollarë për shkelje të përsëritura të urdhrit që e ndalon atë të bëjë deklarata publike për dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerë të lidhur me çështjen.
Nëse përsëritet shkelja e urdhrit, paralajmëroi gjykatësi, ai mund të burgoset. Prokurorët kishin pretenduar për dhjetë shkelje, por gjykatësi gjeti se ishin nëntë. Zoti Trump i kishte ngulur sytë në tryezë ndërsa gjykatësi e lexoi vendimin.
Kandidati republikan për president ka pohuar se ai po ushtron të drejtën e lirisë së fjalës, por vendimi i gjykatësit nxjerr në pah se zoti Trump është i pandehur në një çështje kriminale që duhet t’i nënshtrohet realitetit të ashpër të procedurës gjyqësore.
Kërcënimi jashtëzakonshëm nga gjykatësi për të burgosur një ish president sinjalizon rritjen e pasigurisë ligjore të zotit Trump në varësi të sjelljes së tij gjatë pjesës së mbetur të gjyqit.
Gjykatësi Merchan shkroi se ai është “shumë i vetëdijshëm dhe mbrojtës” për të drejtat që gëzon zoti Trump në bazë të Amendamentit të Parë , “veçanërisht duke patur parasysh kandidaturën e tij për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të drejtat legjitime të pandehurit për lirinë e fjalës të mos kufizohen, që ai të jetë në gjendje të bëjë fushatë të plotë për postin që kandidon dhe që të jetë në gjendje të përgjigjet dhe të mbrohet kundër sulmeve politike”, shkroi gjykatësi Merchan./VOA
Lexoni KËTU shkrimin e plotë