-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Kurorëzimi i një procesi drejt anëtarësimit në KiE

Kryesoret

Drafti i “Asociacionit” duhet të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si pjesë e procesit të filluar më 2013. Do të ishte fitore e dyfishtë, po qe se ky veprim është pjesë edhe e konsensusit politik në Kosovë.

1.

Prej sot jemi në muajin kur do vendosur a po bëhet sivjet Kosova anëtare e Këshillit të Evropës apo rekomandimi i Asamblesë parlamentare për anëtarësim shtyhet për shqyrtim vitin e ardhshëm; edhe më keq, vihet në votim e nuk arrin dy të tretat e nevojshme të votave për. Numri i njerëzve që janë të brengosur që kjo çështje të mos kalojë sivjet është në rritje dhe brenga është me vend: anëtarësimi në Këshill të Evropës e vë Kosovën institucionalisht në binarët e vet të natyrshëm evropianë. Për më tepër, ndihmon më tej në kulturën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe – ndonëse bëhet për një organizatë që nuk merret me çështje të sigurisë – është një sinjal i duhur që tensionet e krijuara me vite brenda vendit kanë një kornizë më të mirë zgjidhjeje sesa barrikadat apo prania e përhershme e forcave speciale si garantues të mirëqenies së qytetarëve.

Shtyrja e anëtarësimit është një goditje ndaj identitetit ndërkombëtar të vendit, përkatësisë natyrore evropiane të tij dhe ngritjes së tij si shtet me evoluim shembullor demokratik në regjion.

Dhe shtyrja e anëtarësimit largon nga ne pikën e parë të synuar në Dialog: barazinë. Anëtarësimi në KiE i jep mundësinë Kosovës që të bëhet anetare e mbi  220 konventave që hyjnë nën ambrellën e saj.  Kosova me automatizëm po perfiton nga e drejta barazisë që parashikon neni 1 i Marrëveshjes Bazike. Kosova barazohet me Serbinë dhe fiton të drejtën që ta raportojë atë për çdo shkelje të këtyre konventave në raport me Kosovën. Shembulli imediat: Konventa Evropiane për Trashëgimi Arkeologjike  do të na mundësonte të kthejmë artefaktet Muzeut të Kosovës që sot janë ende të mbajtura kundërligjshëm në Beograd.

Ndërsa jemi në muajin e vendimit, Kosovës po i kërkohet prej përkrahësve të saj më të mëdhenj-vendeve të Quintit dhe shteteve të tjera tradicionalisht përkrahëse që të “shënohet veprim përpara dhe i pakthyeshëm drejt Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe”(apo, siç kemi filluar ta quajmë prej kohësh, thjesht Asociacionit).

Do të përpiqem të përshkruaj një rrugë e cila gjendet mes dy mureve. Muri i parë është se Kosova nuk mund të bëjë veprime, sepse Asociacioni është pjesë e negociatave të ndërlikuara të lehtësuara nga BE , negociata të cilat nuk kanë një Marrëveshje të nënshkruar nga të dy palët (Kosova a Serbia) apo të pranuar në çfarëdo forme në tërësinë e saj. Muri i dytë është se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si “pacta sunt servanda”, përmbushje e obligimeve të marra në negociata të Brukselit që nga viti 2013 e deri më sot.

Së pari të largohemi prej murit të dytë.

Pra, Kosova nuk ka obligim të formojë “Asociacion” për faktin e thjeshtë se asociimi (bashkimi, bashkëpunimi, partneriteti) është e drejtë e jo obligim. Njeriu ka të drejtë të bashkëpunojë me tjetrin, ndërmarrja ka të drejtë të bashkëpunojë me tjetrin dhe njëjtë qytetet e shtetet- por në asnjë rast nuk ekziston obligimi për të bashkëpunuar. Obligimi për të bashkëpunuar është dhunim i së drejtës.

Por, ndonëse Kosova nuk mund të detyrojë komunat që të bashkëpunojnë, korniza ligjore e vendit duhet të krijojë kushte ligjore për lirinë e bashkëpunimit. Gjatë procesit Ahtisaari dhe më pastaj Kosova ka miratuar dy ligje që rregullojnë të drejtat e bashkëpunimit të komunave, Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal. Që të dyja janë derivate të standardeve evropiane nga Karta për vetëqeverisje lokale të institucionit ku po përpiqet të hyjë, të Këshillit të Evropës.

Shtuar këtyre dy ligjeve, Kosova është angazhuar për avancime të mëtejme në negociatat e lehtësuara nga BE-ja që nga viti 2013. Pra, shtuar dy ligjeve parësore, Kosova është angazhuar dhe nuk ka finalizuar një kornizë shtesë të drejtash asociimi për komunat e banuara me shumicë serbe që duan të bashkëpunojnë mes vete.

Korniza shtesë është obligim jo si obligim që duhet të imponohet komunave me popullatë shumicë serbe, por si obligim që del si produkt i  një procesi të ndërlikuar negociator.

3.

Kështu, tash mund të largohemi nga muri i parë.

Kosova ka dy ligje dhe drafte negociatore të ndryshme që dikur do të mund të prodhojnë një kornizë të drejtash shtesë për ato komuna me popullatë shumicë që zgjedhin bashkëpunim më të ngushtë mes vete.  Dhe, përderisa Kosova nuk ka detyrim të formojë Asociacionin për komuna me shumicë serbe, prej vitit 2013 ka marrë detyrimin që të krijojë kornizën administrative/ligjore me të cilën krijohet liri për të drejta shtesë që mund por jo detyrimisht duhet t’i përdorin komunat me shumicë serbe. Rrjedhimisht, Kosova nuk mund të mbështetet në murin e pritjes që procesi negociator të përfundojë; obligimi që e ka marrë për hartimin e kornizës ka qenë unilateral dhe është miratuar me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër, në një interpretim më të tëholluar, pritja që Kosova të bëjë veprime të ndërtimit legjislacionit të vet vetëm në fund të procesit negociator me Serbinë do të thotë se në fund do të jetë pajtimi i Serbisë ai që i jep legalitet akteve të brendshme ligjore të Kosovës apo mënyrës së ndërtimit të këtyre akteve në faza të ndryshme.

Pra, Kosova ka obligim që të bëjë dakordimin e veprimeve të veta negociatore me kornizën ligjore. Procesi i dakordimit, në Marrëveshjet e 2013 e 2015 nuk është i natyrës së verifikimit të akteve të kryera ligjore. Kështu, Kosova nuk duhet të presë që të arrihet një marrëveshje e përmbyllur ligjore  (si p.sh. Ligji për Asociacion, Statut i Asociacionit a diçka të ngjashme),  në mënyrë që të bëjë verifikimin se a i përshtatet kornizës juridike të vendit. Këtë e ka dëshmuar më 2015 kur objekt i verifikimit në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte një draftstatut të Asociacionit, por një sërë parimesh që do ta ndërtonin atë.

Kështu, Kosova ka të drejtë që pa pritur ndonjë marrëveshje përfundimtare në procesin negociator të Brukselit që do të përshkruajë se si mund të bashkëpunojnë komunat mes vete të bëjë verifikimin e rezultatit të deritanishëm të procesit negociator. Ai rezultat i deritanishëm, në besimin e vendeve të Quintit, është draftstatuti për Asociacionin, si një dokument zyrtar i ndërmjetësimit të BE-së.

4.

Dhe, kështu mbërrijmë te pika ku Kosova , duke u larguar prej dy mureve arrin një zgidhje të mesme: vendi ka obligim që të hartojë një kornizë shtesë për lirinë e bashkëpunimit  ndërkomunal  dhe ka të drejtën që gjatë rrugëtimit për hartimin e kësaj kornize shtesë të verifikojë a është ligjshmërisht në kahe të duhur apo jo.

Meqë kemi të bëjmë me një gjendje të papërmbyllur ligjore (dekret, ligj, marrëveshje) institucioni i vetëm i cili mund të ecë tutje në zgjidhjen e mesme është Presidentja e vendit. Ajo ka të drejtë që ta dërgojë Draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Madje, nuk është vetëm e drejtë e saj, por është pjesë e një obligimi. Më 2015, me aktgjykimin e vet Gjykata Kushtetuese e Kosovës u shpreh qartazi për obligimin e vendit rreth hartimit të kornizës shtesë ligjore për të drejtën e bashkëpunimit komunal. Përgjatë nëntë vjetëve të kaluara institucionet e vendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e Kushtetueses. Ekziston obligimi i Presidentes së vendit që të informojë rreth zbatimit të aktgjykimit të  Kushtetueses së vitit 2015 dhe si pjesë e këtij informimi të dorëzimit të dokumentit i cili i është ofruar Kosovës si mundësi zbatimi të aktgjykimit. Pyetja e cila do të ngrihej në këtë proces informimi do të ishte se a mund të konsiderohej Draftstatuti i ofruar përmbushës i udhëzimeve të aktgjykimit të vitit 2015.

Presidentja e vendit bëri një hap të mirë drejt konsensusit kur i bëri thirrje BE-së që zyrtarisht t’ua dorëzojnë dokumentin e Draftstatutit udhëheqësve të opozitës në Kosovë. Hapi i ardhshëm mbase mund të ishte që t’i ftonte, t’i dëgjonte vërejtjet e tyre rreth Draftit dhe që së bashku me kryetarin e partisë në pushtet e njëherësh kryeministrin, ta dërgojë informatën konsensuale në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë për udhëzime të mëtejme juridike nga instanca më e lartë për mbrojtjen e kushtetushmërisë.

Do të mund të ishte kurorëzimi i një procesi drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit