Mbrëmjen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt. Berisha tha se pavarësisht vjedhjeve dhe denoncimeve, Veliaj mbrohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
“A jeni dëshmitarë ju se ka dy vite që këtë hajdut e denoncojmë në mos çdo ditë, së paku një herë në dy ditë. Po pse? Se këtë hajdut e mbron Dumani. E mbrojnë ata me të cilët ka vjedhur. E mbrojnë ata me të cilët ka ndarë dhjetëra dhe qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Ju bëj një pyetje: A keni dëgjuar ju të konfiskohet një konto bankare e Erion Veliajt? A keni dëgjuar ju të sekuestrohet pallati me 5 yje i Veliajt në Durrës me Mollën? A keni dëgjuar ju të konfiskohet hoteli luksoz në Dhërmi? A keni dëgjuar ju të konfiskohet një pallat nga shumë e shumë të tilla të kompanisë 5D, të ndërtuara me vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje?
Asnjë. Asgjë nuk u preket hajdutëve se ata i mbron Altin Dumani, i cili pasi përmend bashkinë e Tiranës në veprën penale të Arben Ahmetajt 13 herë, nuk guxon të përmendë një herë të vetme emrin e Erion Veliajt. Në një kohë kur lëshon urdhër arresti për Tushën, Simixhiun dhe të tjerë. A ka mbrojtje më kriminale se kjo o Daman?”