Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Himarë deklaroi se gjatë këtij viti Shqipëria duhet të hiqet përfundimisht nga harta e kultivimit të lëndëve narkotike.
Ai theksoi se shumë shpejt do të nisë monitorimi nga ajri i terrenit me dronët “Bayraktar”, të ardhur në Shqipëri nga Turqia. Sipas tij, në fokus të autoriteteve duhet të jenë ndërtimet pa leje në bregdet.
“Në vitin 2023 i kemi dhënë një goditje të fortë kultivimit të bimëve narkotike. Por në këtë vit duhet që përfundimisht të heqim vendin nga harta e kultivimit të bimëve narkotike, kanabis.
Gjatë këtij viti dhe shumë shpejt do të nisë monitorimi nga ajri edhe me dronët Bayraktar. Me qëllim jo vetëm kultivimin e bimëve narkotike, por edhe goditjen e ndërtimeve pa leje. Nuk duhet të merremi me çatitë që rregullohen, por ndërtimet pa leje në bregdet”, tha ai.