Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak i pyetur për zbatimin e marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia u shpreh se përtej akuzave reciproke në mes të palëve në proces, realiteti është se Kosova dhe Serbia kanë një listë të obligimeve të paplotësuara dhe asnjëra ende s’ka filluar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit.
Lajcak ka thënë se zbatimi duhet të nisë menjëherë në mënyrë që Kosova dhe Serbia të nisin përmbushjen e obligimeve të tyre në mënyrë paralele dhe hap pas hapi duke u bazuar në parimin se të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
Emisari sllovak ka thënë se fokusi duhet të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa dhe sipas tij përgjegjësitë janë të qarta. Lajçak shton se i takon Kosovës që të nisë procedurën e themelimit të Asociacionit dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe Serbia të përmbush obligimet e saj të shumta në mënyrë paralele duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve, siç parashihet në planin e sekuencimit.
“Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – dhe jo në veprimet apo deklaratat publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, ka thënë Lajcak për Kosovo Online.