-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Janusz Bugajski: Biden, Trump dhe Rusia

Kryesoret

Ndonëse politika e jashtme është rrallëherë çështje kryesore e fushatave për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, lufta Rusi-Ukrainë mund të marrë vëmendjen më të madhe në garën e këtij viti.

Si Joe Biden ashtu edhe Donald Trump do të pretendojnë se kanë një zgjidhje për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe do të akuzojnë njëri-tjetrin se ka tradhtuar interesat e Amerikës.

Gjatë muajve në vazhdim, deri në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm, lufta në Ukrainë do të arrijë një pikë kritike. Ose Rusia do të ndërmarrë një ofensivë madhore dhe do ta thyejë mbrojtjen e Ukrainës ose ukrainasit, të armatosur me tërësinë masive të armative që vijojnë t’i vijnë, do ta shpartallojnë frontin rus, duke çliruar pjesët më të mëdha të territorit të pushtuar. Në secilin prej rasteve, Uashingtoni do të jetë në qendër të vëmendjes.

Meqë shumica e popullit amerikan e ka mbështetur ndihmën ushtarake për Kievin, fitorja e Ukrainës do t’i forconte pozitat e Bidenit. Ai do të pretendojë se politikat e tij ishin të drejta dhe do të fajësojë Trumpin se ka vonuar muaj me radhë ndihmën ushtarake, e cila ishte kaq të nevojshme. Në rastin tjetër, republikanët me pikëpamje internacionaliste të Kongresit, për çdo triumf të arritur nga pala ruse, do të fajësojnë Bidenin se ka furnizuar Ukrainën me armatime, teksa i mungojnë objektivat e qarta strategjike.

Disa senatorë republikanë deklarojnë se Biden nuk e ka artikuluar kurrë se disfata e Rusisë është thelbësore për sigurinë globale. Gjithashtu, Trump mund ta kuptojë se pozicionimi kundër fitores së Ukrainës mund t’ia ulë popullaritetin në mesin e shumicës së votuesve amerikanë dhe mund të fillojë të kritikojë Biden se nuk e ndihmuar mjaftueshëm Kievin.

Zyrtarët e Bidenit vijojnë të druajnë se një disfatë përfshirëse e Rusisë në Ukrainë do të çonte në kolapsin tërësor të shtetit rus dhe në destabilizimin e shumë rajoneve. Prandaj, mosfurnizimi i Ukrainës me armët më domethënëse, si raketat me rreze të gjatë dhe avionët luftarakë, lidhet me idenë e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se një marrëveshje paqeje është ende e arritshme.

Si Biden ashtu edhe Trump do të pretendojnë se ata dinë të merren më mire me Rusinë. Trump fajëson Bidenin se lejoi që lufta të shpërthente dhe pretendon se mund ta përfundojë në pak kohë konfliktin në fjalë pasi ai e kupton Putinin. Trump është i bindur se marrëdhëniet e mira personale dhe politikat e transaksioneve do t’i japin atij mundësinë të arrijë një marrëveshje.

Të shumtë janë ata që kanë frikë se kjo nënkupton se Ukraina duhet të dorëzojë Krimenë dhe disa rajone të tjera lindore.

Trump nuk është internacionalist, madje anon nga izolacionizmi, ashtu si liderët amerikanë në fillimet e Luftës së Dytë Botërore. Gjasat që ai të emërojë (në poste të ndryshme drejtuese) republikanë tipikë janë të pakta; ai do të mbështetet tek nativistët – pra, ata që i japin prioritet amerikanëve të lindur në vend në krahasim me të ardhurit – dhe proteksionistët – pra ata që mbrojnë edhe me taksa të fryra industritë vendase -, të cilët mundohen ta kufizojnë rolin global të Amerikës.

Ata janë disi naivë për sa i përket objektivave imperialiste të Moskës dhe mund të mashtrohen nga Putini me premtimet se Kremlini nuk do ta rifillojë luftën, pasi të konsolidojë përfitimet aktuale. Për më tepër, Trump nuk e kupton se si një fitore e mundshme e Rusisë do ta inkurajonte Kinën dhe Iranin që të implementojnë axhendat e tyre ekspansioniste.

Një skenar po aq i rrezikshëm sa fitorja e Rusisë në Ukrainë është tërheqje ushtarake e Amerikës nga Europa. Të dyja do ta bënin më të afërt një luftë NATO-Rusi. Trump ka paralajmëruar se SHBA nuk do të mbrojë shtetet që nuk arrijnë të japin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) për mbrojtjen. Ai mund të ulë numrin e trupave amerikane në kontinent dhe të përpiqet për një marrëveshje përfshirëse me Moskën në lidhje me sigurinë europiane.

Shqetësimet për qëllimet e Trump nxitën Kongresin e SHBA të shtojë në ligj nenin që dega legjislative duhet të miratojë çdo tërheqje të SHBA-së nga NATO. Por kjo mund të mos mjaftojë që Trump të mos i bindet nenit pesë për garantimin e sigurisë dhe të refuzojë të dërgojë trupa amerikane të luftojnë, edhe nëse një anëtar i NATO-s pushtohet.

Një President amerikan që është skeptik ndaj NATO-s do të nxiste përçarje transatlantike, do të inkurajonte agresionin e Rusisë ndaj fqinjëve të saj dhe do të nxiste ndasi midis aleatëve europianë. Ulja e numrit të ushtrisë amerikane nga NATO ose tërheqje nga Aleanca do të shkaktonte vakum në lidershipin e Europës.

Kjo mund të inkurajonte Gjermaninë dhe Francën të ndiqnin planet e veta për “autonomi strategjike”. Gjithsesi, pa një komponent të rëndësishëm ushtarak, kjo iniciativë nuk do të pranohej nga Britania e Madhe, Europa Qendrorë, vendet nordike dhe anëtarë të tjerë të NATO-s, që janë të kërcënuar më drejtpërdrejt nga Rusia.

Një mandat i dytë presidencial i Trump do ta vinte Poloninë në pozitë veçanërisht të rëndësishme për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe ndikimit ushtarak. Varshava mund të llogarisë se nëse Aleanca më e gjerë po bëhet e panevojshme, atëherë asaj do t’i duhet të krijojë një “NATO vullneti” më të vogël, për t’i bërë ballë Rusisë.

Polonia, gjithashtu, do të përpiqet të zhvillojë marrëdhëniet e saj të sigurisë me Uashingtonin, pavarësisht nëse zgjidhet Biden apo Trump. Në fakt, Trump mund të parapëlqejë lidhje më të ngushta ushtarake me Varshavën, për të shpërfillur NATO-n. Ai ka lavdëruar Poloninë për shpenzimet e saj për mbrojtjen dhe ka marrëdhënie të ngushta personale me presidentin polak Andrzej Duda.

Megjithatë, frika e Biden nga Rusia dhe paparashikueshmëria e Trump mbeten shqetësimet më të mëdha si për Poloninë ashtu edhe për Ukrainën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit