Antifashizmi Çam është një trashëgimi e vyer e historisë sonë kombëtare që tregon se popullsia çame ishte në anën e duhur të historisë, ndërsa alibia zyrtare greke për “kolaboracionizëm me pushtuesit” tregon degradim dhe megalomani, në emër të megaloidesë dhe të delirit nazist kuisling grek për zhdukjen e çështjes çame dhe të Çamërisë.
Ali Demi, ishte një nga heronjtë e shumtë të Çamërisë martire, që derdhi gjakun për Shqipërinë, duke spikatur në luftën për çlirim nga zgjedha fashiste, së bashku me mbi 500 partizanë të tjerë çamë, që formuan Batalioni IV “Ali Demi” në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, në frymën e veprimtarive për 80 vjetorin e genocidit, ju fton të nderojmë Heroin e Popullit Ali Demi dhe kontributin e Çamërisë në Luftën Antifashiste, në aktivitetin që organizohet më 8 maj 2024, ora 17, në Hotel Tirana Internacional, ku do të referohen fakte të panjohura më parë nga studiues e historianë dhe ku do të jetë i ftuar edhe nipi i Heroit Ali Demi, ambasador Luan Rama-shkrimtar dhe studiues i njohur.