Debat për amnistinë në Parlament. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha gjatë interpelancës me deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj se nga ligji nuk ka përfituar asnjë i dënuar simbol i korrupsionit, por vetëm 8 nëpunës civil të dënuar për korrupsion.
“Ju ngatërroni shërbimin e provës me burgun. Dilni këtu dhe më thoni një emër, që ky është simbol i korrupsionit dhe që 116 deputetë majtas dhe djathtas dhanë për këtë ligj për ta liruar. Një gjyqtar, prokuror apo politikan. Dilni dhe më thoni një emër.
Kjo interpelancë nuk ka asgjë urgjente por unë jam përgatitur shumë seriozisht në respekt të 116 kolegëve që dhanë votën për këtë amnisti. Por jo për ata që nuk e kanë votuar sepse sado të përpiqem unë të shpjegoj të vërtetën ju vazhdoni të besoni të vërtetën tuaj.
Ministri mban përgjegjësi për draftin që i dërgon këshillit të ministrave por jo për atë që votohet në Kuvend. Nuk kam mashtruar askënd por kam shprehur publikisht qëndrimin e Shqipërisë për të mos amnistuar asnjë zyrtar të dënuar për korrupsion.
Ata që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik, janë vetëm 8 dhe asnjëri prej tyre nuk është simbol i korrupsionit” tha ai.
Enkelejd Alibeaj akuzoi se grupi i Berishës bashkoi votat me qeverinë për të nxjerrë të korruptuarit nga burgu dhe për të lënë protestuesit në burg. “
“Rezulton se nga ligji për amnistinë kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për korrupsion, shkelje për barazi në tendera apo shpërdorim detyre përfitojnë ulje dënimi. Nga këta janë 16 funksionarë publike, 11 për shkelje në barazisë në tendera dhe 8 gjyqtarë”, tha Alibeaj.