Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani e cilëson mundësi të humbur nga qeveria e Kosovës që Prishtina sot të ishte në tryezën e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës për të vendosur anëtarësimin e saj në KiE.
“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në Miniserialin e sotëm të Këshillit të Evropës është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formësimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike.
Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur detyrimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë.
Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur atë që i kemi borxh popullit të Kosovës” tha ai.
Shkak për mos futjen e Kosovës në axhendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës ishte mungesa e avancimit për Asociacionin.