Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka kërcënuar prapë Maqedoninë e Veriut se do t’i pengojë antarësimin në BE nëse qeveria do vazhdojë ta quajë vendin thjesht Maqedoni dhe jo Maqedonia e Veriut.
Mitsotakis e tha këtë gjë në një takim përpara zgjedhjeve evropiane.
“Fqinjët tanë veriorë duhet ta dinë se duhet të respektojnë plotësisht marrëveshjet, nëse nuk e bëjnë, rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur”.
Sipas tij marrëveshja e Prespës është shumë e qartë dhe duhet të respektohet.
“Dua t’i dërgoj edhe një herë një paralajmërim qeverisë së re që tani e tutje të ndryshojë linjën e saj, të respektojë dispozitën qendrore të Marrëveshjes së Prespës e të përdorë vetëm emrin Maqedoni e veriut brenda dhe jashtë vendit. Përndryshe, është e sigurt se do të shkaktojnë probleme jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe por edhe në marrëdhëniet e Evropës me Maqedoninë e Veriut” u shpreh kryeministri grek.