Deputeti i PD-së, Flamur Noka nga Tropoja u kërkoi socialistëve dhe demokratëve që të bashkohen për të shpëtuar sipas tij Shqipërinë që “e ka korruptuar dhe zhytur Edi Rama me bandën e tij”. Noka akuzoi se njësoj si organizata kriminale 5D e krijuar nga Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës, edhe kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Biberaj ka krijuar 5R-në, duke marrë të gjitha taksat e qytetarëve.
“Kënaqësi e madhe të jesh këtu në Malësinë e Gjakovës, në një bashkëbisedim me burra dhe gra fisnike, me njerëz të virtytshëm, me ata malësor që i kanë dhënë historisë së këtij vendi lidera të pazëvendësushëm që kanë drejtuar Shqipërinë dhe kombin shqiptarë.
Në Shqipëri, sikundër edhe këtu në Tropojë nuk ka qeverisje, sepse qeverisja qendrore është shndërruar në një organizatë kriminale që ka si synim plaçkitjen nga mëngjesi në darkë të shqiptarëve.
Edhe qeverisje lokale këtu, njësoj si lali vjedhësi në Tiranë që ka organizatën kriminale 5D, ky këtu ka krijuar ‘5R-ja’, të gjitha taksat shkojnë te ‘5R-ja’ e Rexhës siç shkojnë te 5D-ja e Erion Veliajt në Tiranë.
E pyeta Dumanin për Veliajn, por nuk guxonte. Ne i kemi çuar denoncimet Dumanit për Veliajn dhe “5D”, por i ka ndarë dosjet duke i shpëtuar.
Po të vidhet një makinë dhe janë tre veta, SPAK e quan organizatë kriminale, por këta që vjedhin shqiptarët të gjithë, SPAK nuk i quan organizatë kriminale.
Shqiptarët nuk duhet që të largohen. Shqiptarët, demokratë dhe socialistë të bëhen bashkë për të shpëtuar Shqipërinë” tha ai.