Tek Interi, Krisjtan Asllani tashmë duket se ka pranuar statusin si zëvendësuesi i Calhanoglu, teksa mesfushori shqiptar gjithnjë e më shumë konsiderohet një projekt për të ardhmen e klubit.
Një ‘lavdërim’ i cili mundohet edhe të justifikojë mungesën e minutave për talentin e mesfushës. Por lojtari shpesh herë ka pasur oferta nga skuadra të tjera, lëvizje e cila do e vendoste më në qendër të projektit.
Sipas mediave italiane, në adresë të tij ka ardhur një ofertë mjaft tunduese, pikërisht nga Xhan Piero Gasperini.
Strategu i Atalantës që fitoi Ligën e Europës, ka piketuar mesfushorin e kombëtares së Shqipërisë, si një përforcim të mundshëm për skuadrën e tij për edicionin e ri.
Me shitjen e mundshme të Kupmainers, por edhe me një shifër të rëndësishme të siguruar nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, Atalanta ka fuqinë ekonomike për të bërë një investim të rëndësishëm me Asllanin.
Raportohet se bergamaskët janë gati të blejnë për rreth 28 milionë euro kartonin e futbollistit shqiptar, por për momentin çdo bisedë me Interin ka rezultuar e kotë. Klubi milanez është i vendosur të mbajë lojtarin që ka kontratë me ta deri në verën e vitit 2027 dhe deri tani, ka kthye mbrapsht çdo lloj propozimi për shitjen apo huazimin e tij.