Policia e Himarës ka arrestuar dy turistë pasi ata shisnin drogë në lokalet e natës.
Dy turistët e huaj, 32-vjeçari me iniciale J.C., banues në Angli dhe 35-vjeçari banues në Gjermani shisnin drogëra të ndryshme, që nga kokaina e deri te LSD dhe ekstazia.
Gjatë kontrollit në dhomat ku qëndronin turistët u gjetën të fshehura sasi të drogave të forta kokainë, ketaminë, ekstazi dhe LSD, të cilat dyshohen se ata i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht në lokalet e natës në Dhërmi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasitë e drogërave, një peshore elektronike, një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 celularë.
Ndërsa materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.