Miliona votues në Britani do t’u drejtohen qendrave të votimit të enjten për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e re.
Votuesit do të zgjedhin 650 ligjvënës po aq zona zgjedhore dhe kryeministër do të bëhet kreu i partisë që do të sigurojë numrin më të lartë të ligjvënësve.
Konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak pritet gjerësisht të humbasin përballë partisë kryesore opozitare, laburistëve të qendrës së majtë, pas 14 vjetësh në pushtet, nën drejtimin e 5 kryeministrave të ndryshëm.
Tradicionalisht, konservatorët dhe laburistët dominojnë politikën britanike për shkak të sistemit zgjedhor mazhoritar që e bën të vështirë për partitë më të vogla të fitojnë përfaqësim në Parlament.
Por gjithashtu në garë janë Liberal Demokratët, Partia për Reformë në Mbretërinë e Bashkuar, Partia Kombëtare Skoceze dhe të Gjelbërit.
Më poshtë një përmbledhje se cilat janë partitë, kush i drejton ato dhe çfarë premtimesh po bëjnë. (lexo KËTU për më shumë)