Pas mungesës së besimit gjatë viteve të fundit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan merr pjesë të martën në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, zoti Erdogan shpreson të jetë një fillim i ri në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan merr pjesë në takimin treditor të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington pas vitesh mosmarrëveshjesh me vendet e tjera anëtare të aleancës.
Analistët thonë se zoti Erdogan vjen në takimin e Uashingtonit me një pozitë të përmirësuar, pasi ka zgjidhur çështjet e nxehta të ngritura gjatë takimeve të mëparshme të nivelit të lartë.
“Më parë ishte zgjerimi i NATO-s me Suedinë dhe Finlandën. Tashmë kjo është zgjidhur. Turqia mbështeti emërimin e sekretarit të ri të përgjithshëm, ish-kryeministrin holandez Mark Rutte. Përgjithësisht, Turqia mbështet vendimet që kanë të bëjnë me ndihmën e NATO-s për Ukrainën”, thotë Sinan Ulgen, analist në Qendrën për Studimet Ekonomike dhe Politikën e Jashtme.
Por, lidhjet e ngushta të presidentit turk Erdogan me presidentin rus Vladimir Putin vazhdojnë të tensionojnë marrëdhënien me aleatët në NATO.
Lidhjet e tij me zotin Putin u nënvizuan gjatë takimit të veçantë me të, në kuadrin e punimeve të Organizatës së Shanghait për Bashkëpunimin, që udhëhiqet nga Kina. Turqia gjithashtu refuzon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës. Për marrëdhënien nevojitet kujdes, si nga Uashingtoni dhe nga Ankaraja.