-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Berisha kërkon të mbetet vetë loja

Kryesoret

Sot, 11 korrik, opozita ka vendosur të bëjë protestën e saj të radhës. Në jetën e saj politike kjo është gjëja më e zakonshme. Ka protestuar për gjithçka, edhe kur ka qenë në të drejtën e saj, edhe kur e ka ditur se rruga që po ndjek është e gabuar, bile e fajshme.

Por, duhet pranuar, protesta është një ndër atributet e opozitës. Një forcë politike kundërshtuese e qeverisë, nëse nuk proteston, atëherë ajo është një krijesë e vdekur. Ashtu si mund të ndodhë ndryshe, që protesta shfaq anën e prapësht të një opozite, gjithashtu të prapësht, që, pasi nuk e ka gjetur rrugën e saj përmes mendimit, vizionit dhe idesë, kërkon të shkallmojë pushtetin përmes dhunës.

Shtatori i vitit 1998 është një ndër shembujt më domethënës, kur një opozitë, që ishte po kjo e sotmja, shkatërroi gjithçka të saj, duke dashur të hedhë në erë shtetin.

Nga opozita e djeshme kanë ndërruar shumë pak gjëra. Është i njëjti drejtues që ka qenë gjithmonë, de jure e de fakto, është i njëjti mendim politik, përmes së cilit rruga drejt pushtetit është përmes dhunës dhe mohimit, në shumicë janë të njëjtët metingashë, edhe pse brezat janë ndërruar, e në fund të fundit, si ndodh në jetën e partive politike, janë edhe disa rioshë të politikës , të cilët mendojnë se sa më shumë i përngjajnë shefit të madh, aq më të besuar bëhen.

Opozita është në të drejtën e saj të protestojë. Pas 11 viteve qeverisje të së majtës zullumet e saj janë shtuar, toni autokrat në qeverisje është rritur, korrupsioni është bërë fakti më i dukshëm i jetës së përditshme, një pjesë e oligarkisë financiare ka pushtuar gjithçka dhe nuk po ngopet kurrë; qeveritarë të lartë janë në burg ose presin me ankth kur është radha e tyre; hallka lidhëse mes qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm është shkëputur…, pra janë shumë faktorë që e bëjnë opozitën të protestojë dhe të kërkojë atë që mendon se është më e arsyeshme të ketë.

Por, edhe pse fshihet pas dështimeve dhe mëkatet e qeverisë janë alibia e protestës së tyre, ata, që nga kreu e deri te të thirrurit për të qenë, si gjithnjë, në “ protestën më të madhe që ka njohur historia”, synimet i kanë krejt të ndryshme dhe arsyet po ashtu.

Tri rryma do të jenë në protestë: njerëzit që ende besojnë se përmes Berishës mund të vijnë në pushtet, pavarësisht se është i sanksionuar, luajalët e hershëm, që ende besojnë se e djathta është më e duhura për pushtetin në Shqipëri dhe këto janë më të sinqertët, dhe, pas tyre, tinëzisht, rioshët e opozitës, që deri dje ishin në një kamp tjetër. Këto janë më delikuentet.

Përse proteston? Opozita proteston pasi shefi i tyre, prej disa muajsh, është në arrest shtëpiak. Në fakt, ajo për të cilën akuzohet nga SPAK është arsyeja më e pa përfillur e bëmave qeveritare e jo qeveritare, edhe kur ka qenë në pushtet, edhe kur e kanë larguar nga pushteti. Shefi i opozitës ka mbi vete një mal me mëkate e faje të mëdha, në të cilat afera e familjes Malltezi, është më e pa dukshme.

Edhe në ditët e caktuara të protestës para bashkisë së Tiranës, megjithëse ishte fjala për një aferë të hetuar financiare, si ajo që njihet si Çështja 5D, protestuesit, që nga më i panjohuri e deri te bija Berisha kishin të shkruar në gjoks kërkesën për lirimin e shefit të PD-së, Berisha. Kaq e dukshme ishte kërkesa e tyre, sa që, edhe pse të mbuluar nën një vello tjetër, shfaqja e tyre ishte qartësisht e dukshme. Me këmbëngulje politike ajo u kthye në motivin kryesor të hakërrimit, djegies së gomave, hedhjes së flakadanëve, mallkimeve dhe kërcënimeve.

Kjo do të jetë edhe sot në protestë. Berisha e di se përmes procedurave juridike, praktikë e zakonshme nga të hetuarit si shefa të opozitës, rasti Basha me Rrugën e Kombit, mund të shpërbëjë atë që lidhet me rastin e kompleksit sportiv partizani de pallatet e shumta të dhëndrit të tij, Ai e di këtë. Por nuk e di se çfarë rastesh të tjera e bëmash po heton SPAK, apo po i afrohen atij nga institucione të rëndësishme. Ajo që djeg më shumë për të personalisht është 21 janari, ajo që e djeg më shumë familjarisht është Gërdeci.

Frika e tij nuk është nga qeveria, që , prej kohe për këto ngjarje të rënda ka futur “ veshët në lesh”, për më tepër shpërblen oligarkë të lidhur drejt për së drejti me familjen e tij, si është rasti i oligarkut të njohur Peza, por, ajo që e tremb më shumë qëndron në faktet që mund të sillen nga larg, për të gjykuar çështje që i ka menduar si të vdekura tashmë.

Nëse 21 janari hetohet deri në fund, nëse Gërdeci do të ketë më në fund emrat e vërtetë të autorëve të ngjarjes fatale, atëherë, ai, Berisha, e di krejt mirë se asgjë nuk do të jetë si më parë dhe as ndihma e heshtur e qeverisë nuk e shpëton dot.

Dhe këtu vijmë te arsyeja e dytë e protestës: Berisha dhe klani pranë tij, duke përfituar nga lodhja e stërzgjatur prej qeverisjes dhe rënia e nivelit të jetesës, kërkon të dërgojë mesazhin e tij aty ku ai e mendon se mund të vijë goditja fatale në jetën e tij politike e jo vetëm politike. Në strukturat e Perëndimit politik, sidomos në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Këtë e ka filluar që nga dita kur u bë e njohur se ishte i pa dëshiruar në Shtetet e bashkuara, për më tepër familjarisht.
Nuk mund të thuash se nuk ia ka arritur të krijojë në Shqipëri një rrymë kundër botës atlantike. Duke pasur pranë vetes disa analistë të njohur si grup “sovranist”, duam apo jo ta pranojmë, tani ekziston një rrymë e tillë, që duke besuar verbërisht në qëndrimet e ashpra, shpesh herë pa lidhje të shefit politik të opozitës, kanë mëri gjithë botën perëndimore.

Protesta synon ta rritë këtë rrymë, të bëjë të besojë se pas dënimit politik të Berishës është grumbulluar gjithë bota, që nga Soros, Departamenti Amerikan i Shtetit, diplomatë, ambasadorë, që , si gjithnjë në botën e tij , janë domosdo të shitur, ndërsa vetë ai është i pastër si një lot fëmije, duke harruar se sa lot nënash janë derdhur gjatë regjimit të tij të parë.

Edhe pse data 11 korrik përkon me një rast madhor të NATO, synimi i Berishës është që përmes saj të dëshmojë se asnjë llogari nuk mund të bëhet në Shqipëri , nëse ai nuk është pjesë e saj. Nxjerrja jashtë lojës është vdekja e tij politike, çka nuk e duron dot. Për më tepër, këtë lojë politike, ku ai synon të jetë i domosdoshmi, e ka provuar edhe në pragun e luftës në Kosovë, dhe e di krejt mirë se llogaritë e presidencës nuk dolën në Pazar.

Tjetër synim kanë rioshët politikë pranë shtabit të tij, të cilët, pasi ishin besnikë deri në rrahje me shkopinj pranë ish shefit të tyre, Basha, janë kthyer në të njëjtën vathë ku dikur mrizonin.

Rioshët fillimisht kërkojnë me çdo kusht afirmimin e tyre si drejtuesit e ardhshëm të opozitës, që, ndërsa i bëjnë dua Berishës, i falen tinëzisht edhe Perëndimit. Ata duan me çdo kusht të jenë të besuar në atë që kishin mohuar, falangën e Berishës, të kenë bekimin e tij për ta hequr qafe më pas, dhe, në fund të fundit, të jenë të përgatitur për një marrëveshje të madhe me qeverinë, ku të jenë pjesë.

Berisha kërkon të mbetet pjesë kryesore e lojës politike, në fakt vetë loja. Besnikët e tij shohin pushtetin vetëm përmes figurës së Berishës. Rioshët duan të jenë të përkëdhelurit e tij për ta rrëzuar më pas.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit